vokrri-klubet1Sot më 28 gusht, kryetari i FFK-së Fadil Vokrri bashkë me sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu, kanë mbajtur një takim me përfaqësuesit e skuadrave të Raiffeisen Superligës. Duke i përshëndetur të pranishmit kryetari Vokrri u ka thënë atyre se qëllimi këtij takimi është që të bashkëbisedojmë dhe të arrijmë mirëkuptim në mbrojtjen e lojtarëve dhe klubeve rreth kalimit të tyre kur ata kanë moshën e re 14-18 vjeç, si rezultat i takimit të parë të datës 12 gusht. Sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, i njohu përfaqësuesit e klubeve me mundësitë ligjore që të mbrohen klubet nga dukuria e largimit të lojtarëve nga klubi në klub. Pas shumë diskutimeve me shumë interes përfaqësuesit e klubeve u dakorduan që kalimi lojtarëve nga mosha 14 deri në 18 vjet, nëse ndonjë klub shpreh interesim, ndërsa klubi amë nuk dëshiron ta mbajë atëherë klubi që dëshiron të merr atë lojtarë është i detyruar të paguaj 1.000 euro (një mijë euro) për çdo vit sa ka kaluar në klubin amë. Përfaqësuesit e klubeve arritën marrëveshje për një respekt edhe më të madh të njëri tjetrit dhe në këtë drejtim u arrit marrëveshja që klubi mikpritës të sigurojë një vend të veçantë në stadium për zyrtarë të klubit mysafirë dhe kjo tash e tutje do të jetë si obligative në drejtim të shtimit të organizimit të ndeshjeve. Po ashtu klubet kërkuan më shumë kujdes dhe mbikëqyrje të ndarjes së drejtësisë dhe masa më të ashpra për gjyqtarë e kontrollorë, të cilët nuk e kryejnë detyrën e tyre sipas akteve dhe rregulloreve të FFK-së dhe të lojës së futbollit. Përfaqësuesit e klubeve po ashtu shtruan nevojën e ndryshimit të sistemit të garave dhe të zvogëlimit të Superligës, me qëllim të rritjes së cilësisë në futbollin e Kosovës. Ndërsa, në mbyllje të takimit kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri u premtoi zyrtarëve të klubeve që FFK-ja do të angazhohet maksimalisht në mbikëqyrjen e organeve relevante si dhe në përmirësimin e punës të secilit që mbanë përgjegjësi për mbarëvajtjen e garave. Po ashtu Vokrri ritheksoi edhe njëherë se KE i FFK-së tashmë ka menduar për ndryshimin e sistemit të garave dhe zvogëlimit të Ligës dhe në muajt në vazhdim do të ketë një debat të gjerë me klube, profesionist dhe Këshillin Profesional, që të gjendet modaliteti më i mirë që i përgjigjet futbollit të Kosovës.