kf hysiJanë zhvilluar ndeshjet e javës së 6-të në Raiffeisen Superligë. Kjo javë u karakterizua me katër fitore të vendasve dhe dy barazime, derisa në gjashtë ndeshje u shënuan 12 gola. Pozitën e liderit pas kësaj jave e mori Hysi, skuadër e cila realizoi fitoren e tretë radhazi, përkatësisht të katërtën në këtë edicion. Në sfidën e kësaj jave, Hysi arriti ta mposhtë Dritën në Merdar, me rezultat 2:1, duke u ngjitur në pozitën e parë, me 13 pikë. Të parët në epërsi kaluan gjilanasit me golin e Ismet Ramushit, në minutën e 28-të, por vetëm dy minuta më vonë Përparim Livoreka i barazoi shifrat në 1:1. Ndërkohë, për tre pikë të reja të skuadrës llapjane u përkujdes Përparim Osmani, i cili me të inkuadruar në lojë arriti të gjejë rrugën e golit, në minutën e 78-të, duke e vendosur rezultatin përfundimtar, 2:1. Fitore si vendase shënuan edhe Prishtina, Trepça’89 dhe Feronikeli. Skuadra kampione në fuqi, Prishtina, e mposhti Hajvalinë, me rezultat minimal, 1:0. Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi Berat Hyseni, në minutën e 67-të. Ndërkohë, trajneri i ri i Trepçës’89, Arsim Abazi, ka debutuar me fitore në bankinën e “minatorëve”, pasi skuadra e tij, të dielën, e ka mposhtur Besën, në stadiumin “Riza Lushta”, me rezultat 2:0. Të dy golat për mitrovicasit i ka shënuar Kastriot Rexha dhe atë brenda dy minutash (41’ e 43’). Me këtë fitore Trepça’89 është ngjitur në pozitën e tretë, me 10 pikë. Feronikeli iu gëzua fitores së dytë në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, duke e mposhtur Trepçën, me rezultat 2:0. Golin e parë e realizoi Elhami Berisha, në minutën e 37-të, derisa Istogu vulosi shifrat përfundimtare në minutën e 90’ (+2’). Ndërkohë, dy përballjet që nuk dhanë fitues këtë javë ishin ato në Fushë Kosovë dhe Ferizaj. Drenica arriti të shkëpusë një pikë si mysafire kundër Fushë Kosovës (1:1), por ky epilog nuk i mjaftoi për t’iu shmangur pozitës së fundit. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e Fushë Kosovës në saje të autogolit të Ismet Cakës, por më vonë gabimin e tij e përmirësoi Sami Geci, duke barazuar shifrat dhe duke ia siguruar një pikë kuqezinjve nga Skenderaj. Në anën tjetër, lideri i para kësaj jave, Llamkos Kosova vazhdoi serinë pa humbje, duke barazuar si mysafir kundër Ferizajt, po ashtu 1:1. Vushtrriasit kaluan në epërsi me golin e Arbër Prekazit, në minutën e 27-të, derisa Astrit Fazliu barazoi shifrat në minutën e 54-t, duke e shmangur Ferizajn nga humbja.