liga21Sot është zhvilluar ndeshja e parë e javës së 13-të në Raiffeisen Superligë, ku skuadra e Hysit ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Ferizajn, me rezultat 2:1. Kjo fitore ia ka mundësuar Hysit që ta zhvendosë rivalin e sotëm nga pozita e dytë dhe ta barazojë kuotën e pikëve me Llamkos Kosovën, që kryeson renditjen me 24 pikë, por që ndeshjen e ardhshme e zhvillon, nesër,  kundër Trepçës’89. Golat për Hysin i shënuan Rrahim Çitaku, në minutën e 16-të dhe Mentor Zhdrella, në minutën e 64-t nga penalltia, derisa golin e vetëm për ferizajasit e shënoi Astrit Fazliu, në minutën e 78-të. Ferizaj pati mundësi për të barazuar shifrat në 1:1 në minutën e 49-të, por Shkumbin Salihu nuk u tregua i saktë nga penalltia. Për skuadrën e drejtuar nga Fadil Ademi kjo ishte fitore këndelljeje pas humbjes së thellë të përjetuar në Fushë Kosovë në fundjavën e kaluar (0:3), derisa për djelmoshat e Bylbyl Sokolit kjo ishte humbja e parë pas katër fitoreve e një barazimi.