liga21Skuadra kampione në fuqi, Prishtina, ka shënuar fitore në ndeshjen e fundit të javës së 13-të në Raiffeisen Superligë, duke e mposhtur Feronikelin, në kryeqytet, me rezultat 1:0. Deri te arkëtimi i tre pikëve të reja bardhekaltrit erdhën me mjaft vështirësi, duke e gjetur golin e fitores vetëm në minutën e tretë të kohës shtesë. Ishte Azem Ahmeti i cili harkoi nga gjuajtja e këndit në afërsi të portës, kurse Berat Hyseni me kokë e plasoi topin në rrjetë, duke e shfrytëzuar edhe mosreagimin e portierit Granit Kolshi. Deri në momentin e golit, drenicasit rezistuan mjaft mirë, ndonëse edhe sulmet e Prishtinës ishin të rralla dhe pa koncept të qartë. Pas kësaj fitoreje Prishtina është ngjitur në pozitën e pestë, me 20 pikë, derisa Feronikeli mbetet në pozitën e fundit, me 10 pikë.