Foto-3Sot më 29 gusht në hotel “Emerald” u mbajt Kuvendi i rregullt i punës së FFK-së, nën drejtimin e Fadil Vokrrit kryetar. Mbledhjen e Kuvendit e hapi Fadil Vokrri kryetar, i cili në fjalën e tij përshëndetëse ndër të tjera u shpreh: Para pak javësh ne mbyllëm edicionin garues 2013/2014, kampionatet e të gjitha kategorive ku njohëm fituesit dhe rezultatet tjera. Brenda një gare kaq të madhe, të gjatë dhe interesante në të gjitha nivelet, sigurisht se jo gjithçka ka shkuar ashtu siç do të dëshironim ne të gjithë. Por, gjithsesi, gara ka qenë korrekte dhe brenda saj ka pasur vlera të cilat duhet evidentuar. FFK-ja është munduar që gjatë gjithë kësaj periudhe të jap maksimumin që gara të jetë interesante dhe e drejtë. Të gjitha organet relevante bashkë me klube, drejtues, futbollistë, trajnerë e gjyqtarë kanë dhënë kontributin e tyre për një garim normal në suaza sportive dhe që kjo të mbyllet me sukses. Ne jemi të ndërgjegjshëm që gjatë këtij edicioni ka pasur edhe gjëra që nuk do të duhej të ishin, por detyrat që na presin kërkojë më shumë sakrifica, profesionalizëm dhe përkushtim. Duke punuar në mënjanimin e dobësive nga e kaluara besoj e shpresoj në një edicion të ri të garave më të mirë e më të suksesshëm. Delegatët e kuvendit 39 nga gjithsej 59 sa numëron Kuvendi miratuan rendin e ditës. Ata shqyrtuan raportin e KE dhe e miratuan atë në të cilinën u tha se KE i FFK-së ka udhëhequr politikat zhvillimore të futbollit të Kosovës me theks të veçantë në ndërkombëtarizimin e futbollit. Me angazhimin e KE e në veçanti të kryetari Fadil Vokrri është arritur të bindet FIFA që Kosovës t’i lejojë zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare që në këto rrethana llogaritet si sukses i madhe duke marrë për bazë rrethanat në të cilat gjenet Kosova dhe vet FFK-ja. KE ka punuar në forcimin e organeve të saj dhe në zbatimin e akteve normative. KE i FFK-së tash e sa vite ka gjetur një sponsor strategjik siç është Raiffeisen bank. Pastaj është punuar mjaft në ngritjen profesionale të trajnerëve, gjyqtarëve dhe kuadrove tjera me qëllim të rritjes së përformancës së punës së tyre. KE edhe më tej do të punojë me përkushtim deri në arritjen e plotë të synimeve të saj. Nga raporti i garave të cilën delegatët e miratuan, u tha se kampionati nisi me 93 skuadra por që në vazhdim pushuan aktivitetin disa klube. Gjatë këtij edicioni në konkurrencën e seniorëve, juniorëve dhe farërave janë zhvilluar 1104 ndeshje, nga të cilat më shumë 67 për qind janë cilësuar me organizim të nivelit të mirë, me një disiplinë të mirë të futbollistëve ku nga 1104 ndeshje vetëm kemi 100 kartonë të kuq pas dy të verdhëve 118 drejt të kuq dhe 3991 kartonë të verdhë. Shikueshmëria ka shënuar një tendencë ngritjeje prej 9.58 për qind por që është ende për t’u dëshiruar. Të pranishmit e miratuan edhe raportin financiar. Shumë nga delegatët dhanë kontributin e tyre me diskutime e plotësime të debateve me qëllim të përmirësimit të mbarëvajtjes sa më të mirë të punës. Kuvendoi pranoi anëtarët e rinj të FFK-së. Kuvendi shqyrtoi edhe kërkesën e KF”Trepça ‘89” që delegimi i gjyqtarëve të mos bëhet me short por me delegim nga ana e kryetarit të gjyqtarëve dhe komisionit për delegim dhe të njëjtën e miratoi. Kuvendi miratoi edhe disa ankesa dhe parashtresa.
Foto kuvendi