vokrrikeKryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, së bashku me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, të martën, në restorant “Te Rrethi” në Prishtinë, kanë organizuar një koktej-pritje për gazetarët sportivë në përmbyllje të vitit 2014. Me këtë rast, numri një i FFK-së, i ka falënderuar gazetarët për bashkëpunimin dhe punën e bërë gjatë vitit 2014 dhe u ka uruar suksese në vitin 2015, duke paralajmëruar një vit të rëndësishëm për ta, por edhe në përgjithësi për futbollin kosovar. “Pikësëpari iu uroj sukses dhe shëndet në vitin 2015, juve dhe familjeve tuaja. Është bërë traditë që Federata e Futbollit e Kosovës në fund të vitit t’iu gostitë me një koktej modest për t’iu falënderuar për punën që e keni bërë gjatë tërë vitit, me batica e zbatica. Ne si federatë jemi në vlugun e punëve tona për vitin 2015 dhe shpresoj se së bashku me juve viti që po hyjmë të jetë më i suksesshmi për futbollin e Kosovës. Ju falënderoj për mbështetjen që i keni dhënë futbollit, pasi interesi ynë është i përbashkët, për ta çuar përpara futbollin kosovar. Besoj që viti 2015 do të jetë ndoshta viti ma interesant për krejt ju dhe për tërë futbollin e Kosovës”, ka theksuar Vokrri para gazetarëve, duke i ftuar më pas në ngritjen e një dollie për një vit të suksesshëm.
vokrriKE1