feronikeli4Për dallim nga Hajvalia dhe Trepça’89, të cilat pranverën e nisën me humbje, dy skuadrat tjera që e kanë shpallur kandidaturën për titull të kampionit, Feronikeli dhe Prishtina kanë realizuar fitore dhe atë si mysafire. Skuadra kryesuese në renditje, Feronikeli, të dielën, në stadiumin “Ferki Aliu” në Vushtrri, e ka mposhtur Kosovën, me rezultat 2:0. Golat për skuadrën nga Drenasi i realizuan Bujar Shabani (29’) dhe Përparim Livoreka (43). Kjo fitore ia mundësoi skuadrës së Gani Sejdiut që ta përforcojë pozitën e parë, me 31 pikë, tri më shumë se përcjellësja më e afërt, Prishtina. Kjo e fundit fitoi si mysafire në Gjakovë, në duelin me rivalin e vjetër, Vëllaznimin, po ashtu me rezultat 2:0. Golat për djelmoshat e drejtuar nga Bylbyl Sokoli i shënuan Bashkim Shala (77’) dhe Shend Kelmendi (86’). Fitore shumë të rëndësishme në garën për titull realizoi edhe Besa, që arkëtoi tri pikë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë kundër Trepçës, me rezultat 1:0. Golin e fitores për pejanët e shënoi Kastriot Rexha, në minutën e 89-të. Ndërkohë, fitoren e vetme si vendas këtë të diele e shënoi Ferizaj, që e mposhti Istogun, 2:1, me dy gola të Gëzim Rusit, derisa golin e vetëm për mysafirët e shënoi Suad Saliagiq.