besa-trepca1Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të rrethit të dytë të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll. Pas Trepçës’89, kalimin në çerekfinale të kësaj gare e siguruan edhe Llapi, Feronikeli, Besa dhe Istogu. Reshjet e mëdha të borës në javët e fundit dhe infrastruktura e dobët kanë bërë që disa prej këtyre ndeshjeve të zhvillohen në terrene tejet të rënduara për lojë. Feronikeli u tregua bindës në duel me Kosovën e Vushtrrisë, duke e mposhtur me rezultat 3:0, në ndeshjen e zhvilluar në kushte shumë të mira në fushën me bari sintetik në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren. Golat për skuadrën e Gani Sejdiut i shënuan Egzon Gashi, Mendurim Olluri dhe Qemail Elshani. Ndërkohë, në ndeshjen e zhvilluar në kushte shumë të vështira për lojë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Llapi arriti ta eliminojë Prishtinën, me rezultat 2:1. Dardan Jashari e Mërgim Boshnjaku shënuan për Llapin, derisa golin e vetëm për prishtinasit e shënoi Mentor Zhdrella. Besa fitoi me rezultat të ngushtë ndaj 2 Korrikut, 2:1, me golat e realizuar nga Fatih Karahoda e Shpëtim Zhara, sikurse edhe Istogu në duel me Dukagjinin, 1:0, me golin e Granit Arifajt. Dy ndeshjet e tjera të këtij rrethi, Flamurtari-Drita dhe Gjilani-Ferizaj zhvillohen mesjavën e ardhshme, derisa Drenica ka kaluar në rrethin tjetër pa lojë.