2307 DritaSkuadra e Dritës është kualifikuar në çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës, pasi të mërkurën në Prishtinë e mposhti Flamurtarin, pas gjuajtjes së penalltive 4:1. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi baras 1:1, kurse pas vazhdimeve 2:2. Madje, gjilanasit golin e barazimit të dytë e shënuan në sekondat e fundit të vazhdimeve. Flamurtari kaloi në epërsi në minutën e 5-të, me golin e Lorik Shabanit nga afërsia, pasi paraprakisht Rinor Havolli e qëlloi shtyllën. Me epërsinë e një goli kuqezinjtë shkuan në pushim, por Drita arriti t’i barazojë shifrat në minutën e 64-t, me golin e Ismet Ramushit. Deri në fund të 90 minutave të kohës së rregullt më nuk pati gola, kështu që u zhvilluan edhe vazhdimet dy herë nga 15 minuta. Në vazhdimin e parë nuk pati gol, por në 15 minutat e vazhdimit të dytë shënuan të dy skuadrat, duke e çuar sfidën në serinë e penalltive. Fillimisht vendasit kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Rinor Havolli, me një gjuajtje nga 25 metra, në minutën e 110-të. Megjithatë, gjilanasit arritën të shënojnë në minutën e 122-të, me golin e shënuar nga Durim Baxhaku, me gjuajtje të forte nga 16-metra. Me këtë rast kuqezinjtë reaguan tek gjyqtari Tefik Maloku, pasi sipas tyre nuk kishte nevojë që të kompensohej aq shumë kohë në vazhdimin e dytë. Ndërkohë, në serinë e penalltive përvoja e gjilanasve e bëri të veten, pasi shënuan në katër gjuajtje, derisa prishtinasit huqën dy gjuajtje nga pika e bardhë. Për Dritën shënuan Shillova, Ramushi, Kelmendi dhe Osmani, kurse për Flamurtarin shënoi vetëm Qorri, derisa dështuan Syla e Rama.