drenica-istogu2Sot më 3 qershor Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nën drejtimin e Fadil Vokrrit, kryetar mbajti mbledhjen e vet të radhës ku debatoi për shumë çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës. KE pas një debati duke analizuar rrjedhën e Kampionatit vetëm një javë para përfundimit, konstatoi se ky kampionat ishte njëri ndër kampionatet më interesante dhe atraktiv gjatë këtyre viteve të fundit, duke bërë të paqartë luftën për titull dhe për mbijetesë deri në fund. Kjo ka bërë që të ketë një rivalitet të madh sportiv në kufijtë e fair-playt, shtim të cilësisë dhe rritje të shikueshmërisë. Për këtë meritor padyshim janë organet e FFK-së, klubet dhe lojtarët. Po ashtu u konstatua se gjyqtarët dhe kryetari i tyre Përparim Hasani ishin kontribues të mëdhenj të kësaj mbarëvajtje të mirëfilltë të garave. KE shqyrtoi edhe vizitat e fundit të kryetarit Vokrri dhe sekretarit Eroll Salihu me zyrtarë dhe presidentin e UEFA-s, Michel Platini, nga të cilët morën premtime se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje për futbollin e Kosovës dhe se do ta ndihmojnë FFK-në në të gjitha sferat e mundshme të nevojshme. Duke marrë për bazë këto takime KE do të marrë të gjitha masat e nevojshme për punuar në drejtim të harmonizimit të të gjitha veprimeve me ligjeslacionin e UEFA-s. Kështu që, FFK-ja planifikon të organizojë seminare për përgatitjen e kuadrove nëpër klube që të përgatiten për garat ndërkombëtare, rikonstruimin dhe profesionalizimin e administratës. Do të ashpërsojë kriteret e stadiumeve në përputhje me kërkesat ndërkombëtare. Njëkohësisht, KE do të nisë hartimin e Strategjisë për zhvillimin e futbollit për periudhën e ardhme katërvjeçare, duke konsultuar faktorët relevant vendorë e ndërkombëtar në mënyrë që pranimi në institucionet ndërkombëtare ta gjejë FFK-në sa më të përgatitur. KE përcaktoi edhe datën e zhvillimit të ndeshjeve të ashtuquajtura të barazhit dhe atë më 10 qershor do të zhvillohen ndeshjen e Ligës së parë në stadiumin “Agron Rama“ në Kastriot, ku ndeshja e parë do të zhvillohet prej orës 13.00, ndërsa ndeshja e dytë prej orës 16.00. Takohen vendi i 13 dhe 14 i Ligës së parë me nënkampionët e Ligës së Dytë të grupit “A” dhe “B”. Ndërkaq, më 11 qershor në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë do të zhvillohen ndeshjet për Superligë, ku takohen skuadra e vendit të 9-të  Superligës me ekipin që ka zënë vendin e katërt në Ligën e parë si dhe skuadra në vendin e 10-të të Superligës me skuadrën që ka zënë pozitën e 3-të në Ligën e parë. Ndeshja e parë zhvillohet prej orës 13.00, ndërsa ndeshja e dytë prej orës 16.00.