20150823_172211Skuadra e Gjilanit ka shënuar fitore me rezultat bindës kundër rivalit të qyteti, Dritës. Ndeshja derbi në kuadër të javës së parë në Raiffeisen Superligë, e zhvilluar në stadiumin e stërmbushur me tifozët “Intelektualët” dhe “Skifterat”, përfundoi me shifrat 0:3. Shifrat e kësaj sfide i zhbllokoi Betim Haxhimusa, me golin e shënuar me kokë në minutën e 41-të, pas harkimit të Besnik Krasniqit. Ndërkohë, dy golat e tjerë i realizoi Dren Gashi, pas dy kundërsulmeve të shpejta, në minutat 55 e 96.
Kanë përfunduar edhe tri ndeshjet e tjera në kuadër të javës së parë në Raiffeisen Superligë. Llapi ka shënuar fitore si mysafir kundër Vushtrrisë, me rezultat 1:0.  Golin e fitores për llapjanët e realizoi Hamdi Namani, në minutën e 78-të. Ndërkohë, Trepça’89 u tregua bindëse në duel me Istogun, duke shënuar fitore 4:0 në stadiumin “Riza Lushta”, me golat e shënuar nga Argjend Mustafa, Blerand Kurtishaj (dy herë) dhe Fiton Hajdari. Sfida e vetme e kësaj jave që nuk dha fitues ishte ajo e zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, ku Liria barazoi me Drenicën 1:1. Të parët në epërsi kaluan prizrenasit me golin e shënuar nga Liridon Fetahaj, në minutën e 45 (+1), kurse për kuqezinjtë golin e barazimit e realizoi Taulant Dajaku në minutën e 90 (+2).