albertbunjakisamirujkaniSot më 7 tetor Përzgjedhësi i Përfaqësueses “A” të Kosovës z. Albert Bunjaki mbajti një konferencë me media, ku shpalosi programin dhe publikoi listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen kundër  Guinesë Ekuatoriale. Duke i përshëndetur gazetarët e pranishëm përzgjedhësi Bunajki, falënderoi FFK-në dhe kryetarin Fadil Vokrri për mbështetje të plotë. “Siç e dini të shtunën do të takohemi me  përfaqësuesen e Guinesë Ekuatoriale, një kundërshtar mjaft interesant dhe nuk  është një kundërshtar  tipik afrikan sepse ka edhe lojtar spanjoll. Por  si do qoftë për neve është interesante të kemi sa më shumë lojë sepse kështu do të kemi mundësi të lidhemi mes vete dhe të ecim rrugën që e kemi nisur. E di që keni pasur dëshirë të keni të njohur listën më herët por duke marrë parasysh  se kemi lëvizje dhe futbollistët kanë lojë, e ndërsa Kosova ende nuk është e pranuar, prandaj kam dashur që kur ta  publikojë listën të jetë sa më reale. Janë ftuar 19 lojtarë, 2 portierë dhe 17 futbollistë. Kemi pasur parasysh moshën dhe kontuinitetin e  futbollistëve”, ka theksuar Bunjaki.  Më tej z. Bunjaki ka folur për secilin lojtarë në  veçanti, derisa ka uruar që të fitojë edhe Shqipëria në duel me Serbinë dhe kjo festë të bartet edhe në Prishtinë. Ndërsa kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani, ka thënë se është mirë që do të kemi lojë dhe nga kjo të  bëjmë më të mirën dhe të fitojmë përvojë. “Kemi punuar si grup këto ditë dhe besojë se gjithçka do të  shkojë mirë”, ka thënë Ujkani.
 
Lista e futbollistëve:
Portierë: Samir Ujkani, Visar Bekaj.
Mbrojtës: Ilir Berisha, Loret Sadiku, Fanol Perdedaj, Leonit Abazi, Bajram Jashanica, Imran Bunjaku, Denis Markaj, Leart Paçarada.
Mesfushorë-sulmues: Mergim Brahimi, Besar halimi, Liridon Krasniqi, Valmir Sylejmani, Shkëlqim Pacolli, Eroll Zejnullahu, Bernard Berisha, Erton Fejzullahu dhe Shpëtim Hasani.
 
Ndërkohë, nesër më 8 tetor në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë në orën 12.00 do të mbahet një konferencë me gazetarë, ku FFK-ja do të shpalosë detajet rreth organizimit të ndeshjes kundër Përfaqësueses së Guinesë Ekuatoriale.
gazetaretffk