drita-hajvaliaSot më 21 shkurt janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të rrethit të dytë të Digitalb Kupës së Kosovës. Drita ka kaluar tutje, duke e mposhtur njërën prej pretendenteve për trofeun e kësaj gare, Hajvalinë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan, ka përfunduar me rezultat 3:1, në të mirë të Dritës.  Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e shënuar nga Fuad Karabegu, në minutën e 30-të. Mirëpo, futbollistët e Dritës arritën që në pushim ndërmjet dy pjesëve të shkojnë me barazim, pas golit të Xhevdet Shabanit, në minutën e 41-të, derisa në pjesën e dytë shënuan edhe dy gola tjerë për ta siguruar kualifikimin në rrethin e ardhshëm. Fillimisht Xhevdet Shabani finalizoi një aksion të bukur të Muratit e Kastratit në minutën e 57-të, derisa fitoren e Dritës e vulosi Qëndrim Sejdiu, në minutën e 81-të, me golin e shënuar nga gjuajtja e lirë. Tutje ka kaluar edhe Ferizaj, që ka shënuar fitore si mysafir i Dukagjinit në Klinë, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë ndeshje e ka shënuar Muhabi Bushi. Ndërkohë, ndeshja ndërmjet Vushtrrisë e Llapit ka shkuar në vazhdime, pasi kjo sfidë në kohën e rregullt është mbyllur, 0:0. Mirëpo, në dy periudhat e shtesës më të mirë u treguan llapjanët, të cilët shënuan dy gola, për t’u kualifikuar në rrethin e tretë.
Rezultatet
Drita – Hajvalia 3:1
Dukagjini – Ferizaj 0:1
Vushtrria – Llapi 0:0 – 0:2