drita-flamurtariPas Drenicës edhe Drita e ka siguruar mbetjen në Superligë edhe për edicionin e ardhshëm nëpërmjet ndeshjes së barazhit. Skuadra e drejtuar nga Sadat Pajaziti, të enjten, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ka arritur të fitojë kundër Flamurtarit vetëm pas gjuajtjes së penalltive, me shifrat 4:2, pasi ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve është  mbyllur me rezultat 1:1. Flamurtari ishte shumë afër për t’u kthyer në elitë, pasi kishte epërsi deri në minutën e dytë shtesë, me golin e shënuar nga Shpend Krasniqi në minutën e 34-t me një gjuajtje nga distanca. Megjithatë, në momentet e fundit Dritën e shpëtoi Taulant Haliti, i cili realizoi golin e barazimit për ta çuar ndeshjen në vazhdime, ku nuk pati gola dhe kësisoj fituesi u përcaktua me penallti. Nga gjuajtjet e 11-metërshit më të mirë ishin futbollistët e Dritës, të cilët realizuan katër herë, derisa ata të Flamurtarit dështuan në dy gjuajtje. Ndeshja u karakterizua me tensione dhe me rivalitet të madh.