16 Valon BerishaValon Berisha ka hyrë në histori të futbollit të Kosovës si golashënuesi i parë i Përfaqësuese në një ndeshje zyrtare kualifikuese. Ai shënoi nga penalltia në minutën e 60-të për t’i dhënë Kosovës barazimin kundër Finlandës, në ndeshjen debutuese në kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018”. “Është një ndjenjë shumë e mirë, e kam pas ëndërr të shënoj gol për Kosovën. Axha më ka thënë ‘pash Zotin që e jep golin e parë për Kosovën’ dhe unë e dhashë. E realizova dëshirën e axhës, por edhe të gjithë shqiptarëve. Kur gjyqtari akordoi penallti menjëherë vendosa ta gjuaj unë. Kisha dëshirë të madhe dhe isha i sigurt se do të shënoja. Falënderoj bashkëlojtarët që më përkrahën”, ka thënë Berisha. Ai ka thënë se strategjia ishte që të luajnë fortë në mbrojtje e tani të sulmojnë. “Kemi pasur shansa shumë të mira në pjesën e parë, që me pak fat mund t’i shënonim edhe 2-3 gola dhe ta fitonim këtë ndeshje. I falënderoj të gjithë shqiptarët që na kanë përkrahur prej fillimit deri në fund”, ka thënë Berisha.