foto-2-321 shtator, 2016 – Sot kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri në rezidencën e Ambasadës së Kroacisë në Prishtinë u pritë nga ambasadorja e Kroacisë në Republikën e Kosovës, znj. Marija Kapitanoviç. Ambasadorja Kapitanoviç duke i uruar mirëseardhje kryetarit Vokrri theksoi se: “Kam nderin që të presë kryetarin e FFK-së, z. Vokrri dhe i uroj pranimin në UEFA dhe FIFA, duke shprehur gatishmërinë e saj dhe të shtetit  kroat ta ndihmojë FFK-në e në veçanti rreth ndeshjes së ardhme Kosovë-Kroaci, që do të zhvillohet më 6 tetor në Shkodër”. Nga ana e tij kryetari Fadil Vokrri falënderoi ambasadoren Kapitanoviç, për kohën që ka ndarë dhe e njohu me ecurinë e përgatitjeve që po bën FFK-ja që kjo ndeshje të kalojë sa më mirë dhe në frymë sportive. Tutje z. Vokrri e njoftoi ambasadoren edhe që tashmë një delegacion nga federate kroate e futbollit bashkë me zyrtarë të FFK-së kanë vizituar Shkodrën dhe hotelet ku do të jetë e vendosur ekspedita kroate. Kryetari Vokrri ka falënderuar shtetin kroat dhe Federatën e Futbollit të Kroacisë në veçanti kryetarin Davor Shuker për mbështetjen që ka dhënë FFK-së para dhe pas pranimit në UEFA dhe FIFA  e sidomos duhet veçuar ndihma e Zvonimir Bobanit në angazhimin e tij në FIFA që sa më shpejt  të shqyrtohen kërkesat e futbollistëve për t’u bërë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Kryetari Vokrri e ftoi ambasadoren Kapitanoviç në ndeshje dhe në darkën tradicionale të përbashkët ndërmjet krerëve të FFK-së dhe atyre të federatës kroate. Në fund ambasadorja tha se ndjehet mirë që vendi i saj dhe Federata kroate e futbollit e kanë mbështet Kosovën dhe FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, duke premtuar se gjithmonë do të jenë në dispozicion të FFK-së për ta ndihmuar edhe më tej.