trep-feronikeliSot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 6-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli, është rikthyer te fitorja pas humbjes në shtëpi kundër Prishtinës, duke e mposhtur Trepçën, në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, me rezultat 1:0. Tri pikët e këtij takimi Feronikeli i siguroi falë autogolit të Kujtim Kutllovcit në minutën e 27-të. Një ndeshje mjaft interesante u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ku Trepça’89 arriti t’i gëzohet fitores ndaj Drenicës, me rezultat 3:2. Mitrovicasit kanë kaluar të parët në epërsi me anë të Oto John në minutën e tetë, kurse rezultatin e ka barazuar Granit Arifaj në minutën e 43-të. I njëjti futbollist ka shënuar golin e dytë në minutën e 51-të për ta kaluar ekipin kuqezi në epërsi, por Fiton Hajdari me dy gola fantastikë në minutat 80-të dhe 89-të ka bërë përmbysjen e rezultatit, për t’ia siguruar tri pikë të reja Trepçës’89, të cilat së paku përkohësisht e vendosin në pozitën e parë. Ndërkohë, në ndeshjen e zhvilluar në Prizren, Liria e ka mposhtur Hajvalinë, me rezultat bindës, 3:0.