ff-17 nëntor, 2016 – Sot, anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe njëherësh kryetare e Komisionit për futbollin e femrave, znj. Vjollcë Krasniqi, pati një takim me përfaqësuesit e klubeve të femrave ku diskutoi për mbarëvajtjen e garave e ku u konstatua se me gjithë vështirësitë financiare, organizative dhe mungesën e infrastrukturës, deri më tash garat janë zhvilluar në orarin kalendarik të tyre si dhe në frymë sportive dhe korrektësi. Po ashtu në këtë takim u bisedua edhe për fillimin e përgatitjeve për garat e  grup-moshës U-16, me çka u pajtuan klubet dhe deri në edicionin e ri të garave, kjo grup-moshë garat do t’i zhvillojë në formë të turneut.
Po ashtu duke parë gjendjen financiare jo të mirë të klubeve, znj. Vjollcë Krasniqi i njoftoi klubet që FFK-ja do të ndajë për klubet aktuale nga 2 mijë euro për t’ua lehtësuar sado pak funksionimin e tyre. Ndërkaq, klubet e mirëpritën këtë gjë duke theksuar se kjo është ndihmë tepër e mirëseardhur në këto momente, Klubet u zotuan që të angazhohen maksimalisht për mbarëvajtjen e garave si dhe të nxisin edhe më shumë zhvillimin e futbollit të femrave.