122 nëntor, 2016 – Nënkryetari i FFK-së, z. Agim Ademi bashkë me kryetarin e Komisionit për Gjyqtarë, z. Përparim Hasani kanë pritur sot veprimtarin dhe dashamirin e futbollit të Kosovës, z. Mehmet Jusufi nga Vushtrria, i cili jeton dhe vepron në Zvicër dhe i cili falë angazhimit të tij dhe djalit të tij Mirsad Jusufi gjyqtar në Ligën e dytë të Zvicrës solli në FFK komplete të veshjes për gjyqtarë. Me këtë rast nënkryetari Ademi duke e falënderuar z. Jusufi, e njohu atë për zhvillimin e futbollit të Kosovës me vështirësitë dhe me rrugëtimin e FFK-së në pranimin në UEFA dhe FIFA. “Njerëzit në mërgatë kanë ndihmuar dhe po vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në të gjitha fushat sikur edhe në futboll, e që kjo dhuratë për gjyqtarët është e mirëseardhur në një kohë shumë me rëndësi. Mërgata ishte krah i fortë i Kosovës në të gjitha periudhat”, ka theksuar Ademi. Ndërkaq, z. Mehmet Jusufi me modesti u shpreh se është i lumtur nëse sadopak ka arritë të japë një kontribut për vendin dhe futbollin e Kosovës. “Ne do  të angazhohemi që kjo ndihmë modeste të shtohet sikur që do të orvatemi të ndihmojmë futbollin e Kosovës edhe në organizmin e ndeshjeve në veçanti me grup-moshat e reja U-10 deri U-13, që ekipeve të Kosovës t’u mundësohet pjesëmarrja në turnetë e ndryshme që organizohen në Zvicër”, ka thënë Jusufi. Po ashtu edhe kryetari i Komisionit për Gjyqtarë z. Përparim Hasani ka falënderuar z. Mehmet Jusufi si dhe kolegun e tyre Mirsad Jusufi për këtë dhuratë shumë domethënëse.
2