Sot më 14 janar në praninë e shumë personaliteteve nga jeta politike e sportive e Kosovës dhe jashtë saj, në një atmosferë sportive u mbajt ceremonia e shpalljes së Laureatëve për Vitin 2016. Zyrtarë të UEFA-s, përfaqësueses të federatave të futbollit, federatave të ndryshme sportive, ministra e shumë personalitete të rëndësishme nga jeta e futbollit ishin në këtë gala mbrëmje, të cilëve me një fjalë rasti iu drejtua  kryetari i FFK-së z. Fadil Vokrri, i cili duke i përshëndetur dhe falënderuar për këtë pjesëmarrje theksoi: “Sonte vërtet jam i priveligjuar që po ju drejtohem dhe jam po aq krenar për fjalën që e mbajtëm, për realizimin e vizionit të pararendësve – finalizimin e qëllimit që Kosova të pranohet në UEFA e FIFA. Kjo tashmë u arrit, u bë, por pas një pune të madhe, pas një sakrifice dhe angazhimi të secilit, që ishte e është në Federatë dhe jo vetëm në Federatë. Rrënqethem sot nga ajo rrugë aq e mundimshme, nëpër të cilën kaluam dhe të cilën nuk do ta harroj kurrë, sepse ishte me leqe djallëzore e hileqare të shumë përfaqësuesve të federatave të ndryshme kombëtare dhe të disa individëve të mbrapshtë , të cilët më shumë bënin politikë se sa sport. Por, në anën tjetër me miqtë tanë të shumtë, me të cilët lobuam dhe punuam aq fortë, ia dolëm mbanë. Prandaj, nga këtu do t’u falënderohem edhe një herë dhe t’u uroj e përgëzoj për gjithë ndihmën që na e dhanë. Ne u lindëm dhe filluam hapat e parë t’i hedhim në gara ndërkombëtare, në eliminatore të një Botërori, që pa marrë parasysh rezultatet momentale, duhet të ndjehemi mirë, të ndjehemi krenarë që u përfshimë dhe po paraqitemi me simbolet tona shtetërore, për të cilat aq shumë vuajtëm. Ne tani jemi me identitet dhe me dinjitet”. Në fund të fjalës së tij, kryetari i FFK-së ka kërkuar nga të gjitha institucionet shtetërore që të mobilizohen dhe të bëjnë të mundur që sa më parë Kosova ta ketë një stadium që do t’i plotësojë kriteret e UEFA-s, në mënyrë që ndeshjet si vendas t’i luajë para tifozëve të saj të flaktë.
Pas kësaj fjale rasti nisi edhe ceremonia e shpalljes së më të mirëve në futbollin e Kosovës për Vitin 2016. Në fillim u nderuan me mirënjohje për kontribut të veçantë për futbollin e Kosovës dhe atë: MKRS, Vala, TEB bank, Policia e Kosovës,  hotel “Emerald”, Digit Alb, Malësia reissen dhe Raiffesien Bank. Në vazhdim për kondtribut të veçantë u nderuan edhe individët: Rainer Milkorait, Thierry Favre, Bekim Haxhiu e Murat Hoxha. Me mirënjohje u nderuan Shoqata e gazetarëve sportivë dhe tifozeria “Dardanët”. FFK-ja nderoi me mirënjohje ‘postmortum’ edhe ata që na lanë gjatë vitit 2016 si: Hamdi Govori, Muharrem Ismajli, Bedri  Hamza, Sali Vula e Fatmir Morina. Si çdo vit edhe për vitin 2016, FFK-ja shpalli punëtorin më të mirë sportive, epitet ky i cili i takoi kryetarit të KF”Trepça 89”, z. Abdein Zeka. Klubi më i mirë në futsall u shpall “Feniks” nga Drenasi dhe futbollisti më i mirë i futbollit në sallë u  shpall Narcis Alibegu. Në konkurrencën e femrave klubi më i mirë ishte KF”Hajvalia” , ndërkaq Zylfije Bajramaj ishte futbollistja me e mire, e Edona Kryeziu ishte golashënuesja më e mirë. Feronikeli u shpall klubi më i sukesshëm dhe klubi më ‘Fai-play’ për vitin 2016. Gjyqtari më i mirë i vitit 2016 u shpall Genc Nuza, që njëkohësisht është edhe i nominuari për gjyqtar ndërkombëtar nga FIFA. Epiteti i trajnerit më të suksesshëm i takoi trajnerit të skuadrës kampione Feronikelit,  Afrim  Toverlani. Futbollisti më i mirë i Vala-Superligës sipas votive të gazetarëve sportive (SHGSK) u shpall Behar Maliqi, anëtar i skuadrës kampione “Feronikeli”. Njëmbëdhjetëshja më e mirë sipas vlerësimit të trajnerëve të Vala-Superligës është kjo përbërje: 1.Faton Maloku KF “Gjilani’, 2.Armend Thaçi KF “Gjilani”, 3.Liridon Leci FC ”Prishtina”, 4.Behar Maliqi KF”Feronikeli”, 5. Armend Dallku FC”Prishtina”, 6. Fidan Gerbeshi KF “Feronikeli, 7.Xhevdet Shabani KF”Besa”, 8.Mentor Zhdrella KF”Feronikeli”, 9.Oto John John Trepça’89, 10.Hamdi Namani KF”Llapi” dhe 11.Granit Arifaj KF”Drenica”. Dhe si gjithnjë ëmbëlsira mbetet për fund. Kësisoj, futbollisti më i mirë i Kosovës për vitin 2016 u shpall anëtari i Përfaqësueses së Kosovës, futbollisti që shënoi golin e parë dhe historik për Kosovën në garat kualifikuese për Kampionatin botëror “Rusia 2018”, Valon Berisha. Me këtë shpërblim është përmbyllur ceremonia e shpalljes së Laureatëve për vitin 2016. Pas marrjes së këtij çmimi futbollisti Valon Berisha, anëtar i Red Bull Salzburgut, u shpreh: “Jam shumë krenar për këtë vlerësim. Falënderoj FFK-në, përzgjedhësin Albert Bunjaki me stafin e tij për këtë çmim. Ka qenë një vit shumë i mirë për mua si me Përfaqësuesen ashtu edhe me ekipin tim Red Bull Salzburg. Falënderimi i takon Zotit mas pari për shëndetin dhe aftësinë që ma ka dhënë të luaj futboll. Gjithashtu falënderoj familjen time që gjithmonë e kam pas përkrahjen e saj që kur e kam filluar këtë profesion. Shpresoj që vitit 2017 të jetë me të gjitha të mirat dhe Kosova të ecë përpara”.