21 janar, 2017 – Përfaqësuesja e Kosovës U-17, sot në orët e paraditës ka zhvilluar një seancë stërvitore në kompleksin sportiv “Altinordu” në Kusadasi, derisa në orët e pasditës e ka nderuar organizatorin me pjesëmarrje në ndeshjen finale të turneut “Mercedes Benz Aegean Cup”, që u zhvillua ndërmjet Turqisë dhe Greqisë dhe e cila u mbyll me fitoren e grekëve pas penalltive, me rezultat 5:4, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll pa gola (0:0). Në fund të turneut në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve Federata Turke e Futbollit me Kupën e “Fair Play”-it e nderoi Përfaqësuesen e Kosovës, trofe të cilin e pranoi kapiteni i skuadrës, Bajrush Osmani. Ekspedita e Përfaqësueses së Kosovës nesër do të kthehet në Prishtinë.