Deklaratë e kryetarit të FFK-së,z. Fadil Vokrri pas vendimit të CAS-it
 
Prishtinë, 24  janar  2017
Të nderuar!
Një lajm tejet i mirë në këtë ditë janari, për FFK-në, e cila fitoi edhe një betejë të fundit kundër shtetit të Serbisë, përkatësisht kundër federatës serbe. Sapo mora lajmin nga kryetari i UEFA-s z. Çeferin se CAS-i e ka refuzuar si të pabazë kërkesën e Serbisë për anulimin e vendimit për pranimin e FFK-së në UEFA. Kjo ishte përpëlitja e fundit serbe që të ndryshojë vendimin, por argumentet tona në UEFA ishin më kokëforta se sa dëshira e Serbisë për ta na ndaluar pranimin tonë.
Edhe njëherë u dëshmua se kishim të drejt dhe CAS-i e njohu vendimin e UEFA-s si të ligjshëm në favorin tonë, e që unë isha thellësisht i bindur se një vendim i tillë do të sjellë CAS-i, sepse në anën tonë e kishim të drejtën  tonë  të cilën jo vetëm ne por edhe miqtë tanë e mbrojtën. Me këtë edhe njëherë u mposhtë shteti serb, i cili kishte paguar alamet ekspertë për ta zhbërë vendimin e UEFA-s, si dhe iu mbyllë goja skeptikëve se gjoja mund të rikthehet vendimi i marrë nga Kongresi i UEFA-s i mbajtur më 3 maj 2016.
Ky vendim i CAS-it duhet të na fuqizojë edhe më shumë të gjithëve që të ecim tutje dhe ta bëjmë më të mirën e mundshme për futbollin e Kosovës, të plotësojmë kushtet dhe të arrijmë objektivat që na presin.
Dua të falënderoj të gjithë ata që na ndihmuan dhe na besuan në këtë rrugëtim, duke mos harruar edhe ndihmën dhe mbështetjen edhe të miqve tanë që kurrë nuk na lanë vetëm në këtë rrugëtim, për të cilin u sakrifikuan shumë breza.