27 janar, 2017 – Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri është shpallur sonte “Personaliteti i Vitit 2016” nga Radio Televizioni i Kosovës. Ai është nderuar me këtë çmim për kontributin e jashtëzakonshëm në anëtarësimin e Kosovës në UEFA e FIFA. Këtë çmim kryetarit Vokrri ia ndau drejtori i përgjthshëm i RTK-së, Mentor Shala, në mbrëmjen festive të këtij institucioni publik që u mbajt sonte në Prishtinë. Përveç çmimit, Vokrri mori edhe duartrokitje të mëdha dhe për disa çaste u thirr në kor emri i tij nga të pranishmit. Me këtë rast kryetari Vokrri e falënderoi RTK-në për respektin e treguar dhe vlerësimin, derisa u shpreh i emocionuar, duke theksuar se ky moment e ktheu 30 vite prapa kur në të njëjtën mënyrë thirrej emri i tij kur luante në fanellën e Prishtinës, e cila asokohe arrinte rezultate kulmore. Vokrri tha se ndihet i nderuar për këtë çmim dhe se do ta ruajë atë me zili në sirtarët e tij të sukseseve sportive.