29 janar, 2017 – Sot pasdite Përfaqësuesja e  Kosovës në futsall mbajti seancën e parë stërvitore në Qipro. Fillimisht ekipi përfaqësues në sallën e hotelit mbajti një takim për pjesën teorike, ku përzgjedhësi Ramadan Cimili foli për rëndësinë e këtyre ndeshjeve parakualifikuese për Euro 2018, që ishin një ëndërr e kamotshme e të gjithëve. “Ndaj ne përveç lojës së mirë duhet të tregojmë disiplinë dhe frymë sportive në mënyrë që ta prezantojmë sa më denjësisht shtetin e Kosovës”, ka theksuar Cimili ndër të tjera para futbollistëve. Në emër të kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri ekipin përfaqësues e ka përshëndetur anëtari i KE dhe përgjegjës për futsall, Iljaz Mjaku, i cili edhe njëherë theksoi se FFK-ja do ta mbështesë fortë zhvillimin e futsallit e me ketë edhe zhvillimin e ekipit përfaqësues. Pastaj Përfaqësuesja në sallën e sporteve me dorë mbajti dhe stërvitjen e parë ku përzgjedhësi Cimili u përqendruar në sulm, te goditjet e lira si dhe në mbrojtje, për të ndaluar kundërshtarin para portës. Ndërkohë, sipas mjekut të ekipit përfaqësues Nysret Ymeri gjendja e futbollistëve është e mirë dhe nuk ka asnjë lloj shqetësimi për gjendjen e tyre. Ndeshja kundër Norvegjisë zhvillohet nesër sipas kohës lokale në orën 16.00 (Qiproja është 1 orë para kohës në Kosovë).
Pas stërvitjeve përzgjedhës Cimili dhe disa futbollistë deklaruan:
Ramadan Cimili, përzgjedhës
Atmosfera në taborin tonë është mjaft e mirë. Jemi të vetëdijshëm se çka na pret. Nuk e njohim shumë kundërshtarin, por besoj se rezultati do të jetë në favorin tonë.
 
 
 
Vahid Krasniqi, kapiten
Kjo është hera e parë për neve në garat preliminare. Ne si Kombëtare besoj fuqishëm se në ndeshjen e nesërme kundër Norvegjisë do të ngadhënjejmë dhe të nisim serinë e fitoreve sepse ne mëtojmë të fitojmë edhe ndeshjet tjera.
 
 
Ramadan Alaj, futbollist
Kjo është hera e parë që po marrim pjesë në garat kualifikuese. Motivi është shumë i madh dhe shpresoj se do të korrim fitore dhe të arrijmë objektivat tona.
 
 
 
Oso Gjinovci, futbollist
Kam shumë besim të të gjithë se do të fitojmë tri ndeshjet dhe do t’ia zbardhim fytyrën Kosovës dhe kosovarët do të ndjehen të gëzuar. Unë besoj shumë në fitore.
 
 
 
Dardan Topilla, futbollist
Jemi të vetëdijshëm se nuk do ta kemi lehtë, por disponimi në ekip është mjaft i mirë, ndaj kjo na jep shpresa për fitore dhe jo vetëm në këtë ndeshjen e nesërme.