Pas fitores në ndeshjen e parë kundër Norvegjisë me rezultat bindës 5:1, futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës në futsall, shprehen edhe më të motivuar për fitore kundër ekipit përfaqësues të Qipros, ndeshje e cila do të zhvillohet sot pasdite në orën 18.30 sipas kohës lokale. Me të drejt futbollistët e Kosovës kërkojnë fitore edhe në këtë ndeshje dhe kualifikimin për raundin tjetër të garave. Ja se çka deklaruan disa nga futbollistët për ballafaqimin me Qipron.
Shpend Brahimi, futbollist
Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne sikur edhe në ndeshjen kundër Norvegjisë edhe në ndeshjen kundër Qipros do të japim maksimumin dhe të korrim fitore dhe të ecim tutje.
 
 
 
Alfred Prenqi, portier
Unë do të japë gjithçka që është e mundshme që të shënojmë fitoren e radhës e pse jo edhe të kualifikohemi e që unë besoj shumë se do të arrijmë qëllimin tonë.
 
 
 
Shkodran Loshaj, futbollist
E di që do të jetë një ndeshje e vështirë sepse secila ekip që është këtu në gara mëton kualifikimin, por ne jemi ekip homogjen, e dimë pse jemi këtu. Unë besoj se me angazhimin e të gjithëve do të arrijmë objektivin.
 
 
 
Getart Hyseni, futbollist
Kemi bërë një hap historik tutje në futsall. Është një moment që e kemi pritur me dekada dhe falënderoj zotin që jam pjesë e kësaj gjenerate. Dua të falënderoj dhe të uroj gjithë shqiptarët për këtë fitore e në veçanti trajnerin Suad Keçi, i cili nuk është me neve dhe po na mungon shumë.
 
 
 
 
Fadil Goli, futbollist
Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje e vështirë. Ekipi i Qipros do të mundohet ta shfrytëzojë dhe faktin se është vendas, por besoj se me ndihmën e bashkëlojtarëve të cilët shumë besojmë në kualifikim do të arrijmë të prekim Euro 2018.