10 shkurt, 2017 – Përfaqësuesja U-19 në kuadër të grumbullimit pesë ditor në Ulqin, sot, ka zhvilluar ndeshjen e parë testuese kundër skuadrës ulqinake, Otrant Olympic, që bën gara në Ligën e Dytë të Malit të Zi dhe është një nga pretendentët kryesor për t’u inkuadruar në elitën e futbollit të këtij vendi. Pas një ndeshje mjaft të fortë dhe rivalizuese fitores iu gëzua skuadra e Otrantit, me rezultat 3:2. Në skuadrën ulqinake u paraqitën edhe tre japonezë, derisa më i merituari për fitoren e tyre ishte futbollisti me përvojë Fatmir Mullabeqiri, i cili shënoi të tre golat. Djelmoshat tanë përkundër dallimit të konsiderueshëm në moshë u treguan si rivalë thuajse të barabartë të skuadrës ulqinake. Madje, në minutën e 31-të Përfaqësuesja jonë kaloi në epërsi kur Rilind Nimani shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Lirim Kastratit nga këndorja, 0:1. Megjithatë, reagimi i ulqinakëve ishte i shpejtë, pasi dy minuta më vonë Fatmir Mullabeqiri shënoi me gjuajtje të fortë nga brendësia e zonës, 1:1. Në minutën e 39-të Altrim Pajaziti pati mundësi për ta rikthyer epërsinë, por edhe pse depërtoi mirë në fund gjuajtja e tij nuk shkoi në rrjetë. Pjesën e dytë e nisi më mirë skuadra ulqinake, e cila pas vetëm katër minutash kaloi në epërsi me golin e Mullabeqirit nga gjuajtja e lirë, 2:1. I njëjti futbollist në minutën e 60-të e shfrytëzoi gabimin e portierit Albion Berisha, i cili gaboi në pasimin e topit, duke ia mundësuar kundërshtarit të shënojë në portën e zbrazur, 3:1. As pas këtij goli djelmoshat tanë nuk u ndalën duke sulmuar pareshtur portën rivale dhe në minutën e 80-të arritën ta ngushtojnë epërsinë e vendasve, me golin e shënuar nga Ferat Syla, me kokë pas harkimit Ehat Gjokës nga këndorja. Pas këtij goli djelmoshat e Ramiz Krasniqit krijuan edhe disa raste tejet të mira, por mungoi efikasiteti në finalizim. Do theksuar se këtë ndeshje e përcollën nga afër edhe trajnerët e Përfaqësueses U-21, Erdogan Celina dhe Naser Prapashtica.
 
Deklaruan pas ndeshjes:
Ramiz Krasniqi: Realisht nëse e shohim në mënyrë profesionale dhe praktike më të vërtet jam befasuar për të mirë me paraqitjen e djelmoshave tanë me vetë faktin se kemi luajtur me një skuadër të Ligës së Dytë të Malit të Zi, e cila u paraqit me përbërjen e parë, ku diferenca në moshë dhe në fizikusin e lojtarëve ka qenë e madhe. Ka qenë një kënaqësi e veçantë sidomos loja në pjesën e parë kur jemi përballur thuajse me ritëm të njëjtë të lojës dhe paraqitja ka qenë dinjitoze. Kemi udhëheq 1:0 që ka qenë befasi dhe më pas Otranti barazoi, kurse në pjesën e dytë skuadra rivale me të gjitha forcat është munduar të bëjë ndryshim në rezultat dhe këtë e ka arritur edhe në saje të gabimi të lojtarëve tanë, gjë e cila ndodh te futbollistët e grupmoshave të reja dhe që nganjëherë edhe mund ta kuptojmë. Edhe pas rezultatit 3:1 futbollistët tanë kanë pasur paraqitje të mirë dhe me një këmbëngulësi, disiplinë dhe përkushtim të madh kanë arritur ta ngushtojnë rezultatin e madje të krijojnë edhe tri – katër raste të pastra shënimi, gjë e cila më ka lënë të kënaqur. Rezultati në ndeshje të tilla nuk ka rëndësi të madhe, por fakti që kemi vërejtur një dëshirë dhe vullnet të madh tek djelmoshat. Mendoj se kemi material të jashtëzakonshëm në këtë grup të futbollistëve, ndoshta sot kam kërkuar pak më tepër se sa është e nevojshme, por kam dashur që prej ditës së parë futbollistët ta kuptojnë se nuk do ta pranojmë asnjëherë asnjë humbje, por edhe nëse ndodh ajo duhet të jetë një fitore e kundërshtarit me një angazhim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Mendoj se me një punë të vazhdueshme me disa ndryshime dhe ardhjen e disa futbollistëve besoj që do të bëjmë një ekip të jashtëzakonshëm për sfidat e ardhshme.
 
Rilind Nimani: Në përgjithësi ka qenë një ndeshje shumë e mirë e jona. Edhe pse ka qenë ndeshja e parë që kemi luajtur së bashku dhe përballë kishim një ekip me lojtarë më me përvojë ku diferenca në moshë ishte e madhe ne kemi arritur të bëjmë paraqitje shumë të mirë. Kjo ndeshje na ka ndihmuar ta fillojmë komponimin si ekip dhe besoj se me kalimin e kohës do të vijmë duke e njohur më mirë njëri-tjetrin dhe do të kemi paraqitje edhe më të mira.
Për Kosovën e filluan ndeshjen këta futbollistë: Albion Berisha, Ramiz Bytyqi,
Lot Celina, Abit Salihu, Lumbardh Dellova, Rilind Ravnobaja, Rilind Nimani, Altrim Pajaziti, Edison Kqiku, Leutrim Kastrati, Leutrim Kryeziu. Luajtën edhe Drin Govori, Ehat Gjoka, Gentrit Limani, Otrant Kastrati, Rilind Gërbeshi, Ferat Syla, Dardan Sekiraqa dhe Albion Gashi.