12 shkurt, 2017 – Përfaqësuesja U-19 e ka përmbyllur sot grumbullimin pesëditor në Ulqin. Në ditën e fundit djelmoshat e Ramiz Krasniqit e kanë zhvilluar një ndeshje testuese me skuadrën e kadetëve të Otrantos, të cilën e kanë fituar me rezultat 11:0, e të cilën nga afër e ka përcjellë edhe nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi. Përfaqësuesja U-19 në këtë ndeshje mbizotëroi plotësisht pasi ekipi kundërshtar nuk ishte në nivelin e djelmoshave tanë. Golat në këtë ndeshje i shënuan Asan Krasniqi (3), Leutrim Kryeziu (2), Altrim Pajaziti (2), Lirim Kastrati (2), Ehat Gjoka dhe Otrant Kastrati. Ky grumbullim u ka shërbyer trajnerëve të përfaqësueses për t’i parë vlerat e secilit individë, derisa për futbollistët ka qenë i mirëseardhur për faktin se tashmë kanë filluar ta njohin njëri-tjetrin, ngase ky ishte kampi i tyre i parë së bashku. Fatmirësisht gjatë këtij grumbullimi asnjë prej futbollistëve nuk ka pësuar lëndime, me gjithë faktin se në dy ndeshjet e para testuese skuadrat rivale kanë qenë paksa të ashpra në lojë. Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi në përmbyllje të këtij kampi është shprehur i kënaqur me punën dhe përkushtimin e futbollistëve, duke shprehur shpresën se me një ose dy grumbullime të tilla ekipi do të jetë i komponuar për sfidat e ardhshme në kuadër të kualifikimeve për Euro 2019, ku bën pjesë në grup me Austrinë, Lituaninë dhe Izraelin.
“Ky grumbullim ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ka vlerë të madhe. Ky kamp pesë ditor ka shërbyer jashtëzakonisht shumë për  vetë faktin se tashmë 60-70 përqind janë njoftuar ndërmjet veti dhe ka një shoqëri e harmoni ndërmjet tyre. Komponimi ka qenë në nivelin e duhur, nëse e marrim parasysh faktin se këta djelmosha për herë të parë kanë luajtur së bashku. Në të gjitha ndeshjet që i kemi zhvilluar, por edhe në seancat stërvitore kanë qenë tejet të përkushtuar dhe me disiplinë të jashtëzakonshme. Kundërshtarët kanë qenë të ndryshëm në këto tri ndeshje testuese, që nga skuadra e parë e Otrantos, më pas skuadra e Ligës së Tretë, Slloga dhe sot me skuadrën e kadetëve të Otrantos. E kemi parë shumë qartë në këto tri ndeshje dhe katër stërvitje te 99 përqind e futbollistëve cilësinë dhe karakterin e tyre. Pas një ose dy grumbullimeve tjera sigurisht se do të bëhet ai rrethi i kompletuar i 25 futbollistëve, të cilët do të jenë bërthama e Përfaqësueses U-19. Falënderoj drejtuesit e Federatës që na e kanë mundësuar të grumbullohemi këtu për pesë ditë dhe shpresoj se edhe në të ardhmen do të kemi grumbullime të tilla që të jemi sa më të përgatitur për sfidat që na presin”, ka theksuar Krasniqi.