19 shkurt, 2017 – Sot janë zhvilluar tri prej katër ndeshjeve sa ishin paraparë në kuadër të 1/8 së finales së Digitalb Kupës së Kosovës. Në fakt, ndeshja ndërmjet Flamurtarit dhe Trepçës është shtyrë për shkak të fushës së mbuluar me borë. Ndërkohë, në tri ndeshjet tjera, të cilat u zhvilluan në terrene të vështirësuara si rrjedhojë e reshjeve të borës, kualifikimin në çerekfinale e siguruan Prishtina, Liria dhe Besa. Ndeshja më interesante ishte ajo në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, ku Besa vetëm pas vazhdimeve arriti ta mposhtë Dritën, me rezultat 3:1. Të parët në epërsi kaluan pejanët me golin e Miftarajt me gjuajtje me kokë në minutën e 42-të. Drita i barazoi shifrat në minutën e 74-t, kur Përparim Livoreka shënoi me gjuajtje nga 18 metra, duke e çuar ndeshjen në vazhdimet dy herë nga 15 minuta. Në këtë periudhë loje Drita luajti me dy futbollistë më pak, ngase Taulant Haliti dhe Nderim Nexhipi u lënduan, derisa trajneri Ismet Munishi nuk kishte më të drejtë të zëvendësimeve. Këtë epërsi numerike e shfrytëzoi Besa, e cila në minutën e 97-të kaloi në epërsi me golin e Edmond Turkut që shënoi me kokë për 2:1, derisa në minutën e 114-të Fetim Kasapi e vulosi rezultatin përfundimtar 3:1. Prishtina iu gëzua fitores në Gjakovë në duel me Vëllaznimin, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi Liridon Leci nga penalltia në minutën e 7-të, pasi paraprakisht Ahmed Januzi u pengua brenda zonës në mënyrë të palejueshme. Përveç këtij goli të dyja skuadrat qëlluan nga një herë shtyllën në pjesën e dytë, pas gjuajtjeve të Dushit (52’), përkatësisht Makendas (80’). Ndërkohë, Liria nuk e pati aq të vështirë të shënojë fitore me skuadrën e Ligës së Dytë, Bashkimin (K), të cilën e mposhti 2:0.
Rezultatet
Vëllaznimi – Prishtina  0:1
Besa – Drita 3:1
Liria – Bashkimi (K) 2:0
Flamurtari – Trepça, nuk u zhvillua