26 shkurt, 2017 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 18-të në Vala Superligë. Derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës, i cili si zakonisht grumbulloi numër të madh të shikuesve, u mbyll pa fitues, 1:1. Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 4-t kur Betim Haxhimusa shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes së Dritës, duke e dërguar topin në rrjetë për 1:0. Këtë epërsi Gjilani e ruajti deri në minutën e fundit, por jo edhe deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Genc Nuza, pasi pikërisht në kohën shtesë ishte Përparim Livoreka që shënoi për t’i barazuar shifrat në 1:1 dhe për t’ia mohuar Gjilanit fitoren në derbi. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, skuadra kryesuese Trepça ’89 e nisi furishëm stinorin pranveror, duke e mposhtur Drenicën, në “Riza Lushta”, me rezultat 4:0. Përparim Islami në minutën e 43-të, Florent Hasani në minutën e 66-të dhe Fiton Hajdari në minutat 89-të dhe 90-të, shënuan golat e fitores për skuadrën mitrovicase, e cila tashmë shmanget 6 pikë ndaj ndjekësve më të afërt në renditje.
 
Vala Superliga – Java e 18-të
Rezultatet
Gjilani-Drita 1-1
Trepça ’89-Drenica 4-0
Feronikeli-Trepça 5-1
Ferizaj-Prishtina 0-0
Besa-Llapi 1-0
Hajvalia-Liria 2-4