Alanya, 28 shkurt 2017 – Në seancën e dytë stërvitore gjatë pasdites së sotme ekipi Përfaqësueses i Kosovës, kryesisht u fokusua në lojën e përgatitur mes dy ekipeve të ndara ku zhvilluan një lojë jashtëzakonisht interesante dhe qëllimi Shtabit teknik ishte për të parë funksionimin e reparteve për të parë përparësitë dhe mangësitë e reparteve por edhe individualitetin e  secilës futbolliste. Pastaj me disa nga futbollistet përzgjedhësja stërviti gjuajtjet nga pika e bardhë për të parë përqendrimin dhe saktësinë e tyre. Në sallën e hotelit Shtabi teknik bashkërisht me futbolliste diskutuan dhe analizuan për taktikat e mundshme si të ekipit tonë përfaqësueses ashtu dhe të kundërshtarit. U kërkua që të luhet kujdesshëm, në mbrojtje dhe të shfrytëzohen mirë kundërsulmet.  Sipas fjalëve të ekipit mjekësor gjendja shëndetësore e futbollisteve është e mirë. Të kujtojmë se ndeshja kundër Polonisë zhvillohet nesër në orën 15.30 sipas kohës lokale. Pas stërvitjeve morëm disa mendime të futbollisteve  për pritjet e tyre për ndeshjen nesërme.
 
Egzona Zeka, futbolliste
Gjatë stërvitjeve kemi punuar mjaft mirë dhe unë besoj e shpresoj se do të arrijmë një rezultat të mirë. Nuk e njohim kundërshtarin, por ne do të luajmë ashtu që të kemi një paraqitje sa më të mirë.
 
 
Florentinë Kolgeci, futbolliste
Tashmë jemi kompletuar si ekip. Bashkë me shtabin teknik kemi punuar mirë dhe unë besoj se nuk do t’i zhgënjejmë adhuruesit, por do të arrijmë qëllimin tonë.