16 mars, 2017 – Sot sekretari i përgjithshëm i FFK-së, z. Eroll Salihu priti drejtuesit e lartë të kompanisë “Akay Construction INC”, drejtorin Ertan Olgun dhe zëvendësinë  tij Murat Ozturk, që po shoqëroheshin nga miku i madh i FFK-së, z. Kenan Kurtesh, i cili ka dhënë shumë për futbollin e Kosovës duke qenë edhe agjent i FIFA-s për organizmin e ndeshjeve ndërkombëtare. Duke u dëshiruar mirëseardhje, sekretari Salihu i njohu mysafirët për rrjedhat e futbollit të Kosovës e në veçanti me mungesën e infrastrukturës, ku veç FFK-së është angazhuar edhe Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sporteve (MKRS) si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Drejtuesit e kompanisë turke e falënderuan z. Salihu për mikpritje dhe theksuan se ata janë këtu për të shqyrtuar mundësitë se si të ndihmohet FFK-ja, duke ofruar projekt për ndërtimin e një stadiumi kombëtar.  Mysafirët shpalosën edhe projektin e një stadiumi që e kanë ndërtuar në Sivas, i cili është shpallur si njëri ndër 9 stadiumet më të mira në botë, i cili është me ndriçim dhe ngrohje solare me një kapacitet prej 25 mijë ulëseve, pikërisht çfarë i nevojitet Kosovës. Tutje sekretari Eroll Salihu, ka falënderuar miqtë nga Turqia për këtë interesim, duke theksuar se është Qeveria e Kosovës është ajo që vendos, por gjithsesi është e mirëseardhur kur kemi shumë oferta dhe ne besojmë se MKRS dhe Qeveria do të bëjë përzgjedhjen e duhur dhe shumë shpejt ta kemi një stadium kombëtar.