16 mars, 2017 – Sot është zhvilluar ndeshja e fundit çerekfinale në kuadër të Digitalb Kupës së Kosovës, ku Trepça ka arritur të shënojë fitore ndaj rivalit lokal, Trepçës’89, pas penalltive me rezultat 4:3. Ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve në stadiumin “Adem Jashari” u mbyll me rezultat të barabartë, 2:2. Trepça ishte shumë afër fitores ndaj skuadrës kryesuese të Vala Superligës edhe në kohën e rregullt, pasi ishte në epërsi 2:0, por pësoi dy gola në minutat e fundit. Trepça kaloi në epërsi me golin e Samir Sahitit, pas asistimit të Enis Zabërgjës. Epërsinë në 2:0 e shtoi futbollisti i ri, Ergyn Ahmeti, në minutën e 78-të, kur doli i vetëm me portierin Bledar Hajdini dhe pa vështirësi e dërgoi topin në rrjetë. Megjithatë, Trepça’89 në minutat e fundit e rriti presionin drejt portës kundërshtare dhe falë dy golave të shënuar në minutat 88’ nga Fiton Hajdari dhe 90’+3’ nga Hasan Hyseni,  barazoi shifrat në 2:2 dhe siguroi vazhdimet. Në vazhdimet dy herë nga 15 minuta Trepça’89 ishte më këmbëngulëse, por nuk arriti të gjejë golin dhe si rrjedhojë ishin penalltitë ato që përcaktuan skuadrën e fundit gjysmëfinaliste. Në gjuajtjet nga pika e bardhë më të suksesshëm u treguan futbollistët e Trepçës, të cilët nuk gabuan në asnjë gjuajtje, derisa te Trepça’89 dështuan Shpëtim Idrizi dhe Florent Hasani. Në këtë mënyrë, Trepça iu bashkua në gjysmëfinale tri skuadrave tjera që biletën për këtë fazë e siguruan në ndeshjet e djeshme, janë këto Besa, Drenica dhe Llapi. Shorti për gjysmëfinale do të tërhiqet nesër në orën 10:00 në selinë e FFK-së.