20 mars, 2017 – Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, në shoqëri të drejtorit për marrëdhënie me jashtë, Artan Govori, sot, ka vizituar Përfaqësuesen U-21, e cila është e akomoduar në hotel ‘Prishtina’ në prag të udhëtimit për në Dublin, ku më 25 mars do ta zhvillojë ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2019 kundër Irlandës, në kuadër të grupit 5. Me këtë rast presidenti Vokrri i përshendeti dhe u dëshiroi sukses stafit të trajnerëve, Rafet Prekazi, Erdogan Celina e Naser Prapashtica dhe futbollistëve, në sfidën e parë të garave zyrtare të Shpresave të Kosovës. Përfaqësuesja U21 do të udhëtojë drejt Dublinit të mërkurën në orët e mëngjesit, kurse sot dhe nesër do t’i mbajë dy stërvitje në Ferizaj, me fillim në orën 13:00.