22 mars, 2017 – Ekspedita e Përfaqësueses së Kosovës U21 ka mbërritur sot në mesditë në Dublin pas një udhëtimi prej më shumë se pesë orësh dhe është akomoduar në hotelin “Maldron”. Ndërkohë në orët e pasdites është mbajtur një seancë e lehtë stërvitore nën reshjet e shiut dhe temperatura dukshëm më të ulëta në krahasim me ato në Kosovë. Megjithatë, përkundër lodhjes nga udhëtimi tek djelmoshat e Përfaqësueses U21 u pa një entuziazëm dhe vullnet i madh për punë, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për sfidën e së shtunës kundër Irlandës. Gëzon fakti se gjendja e futbollistëve është e mirë dhe asnjë prej tyre nuk ka pësuar lëndime gjatë tri stërvitjeve të mbajtura deri më tash që nga grumbullimi në Prishtinë.
Përzgjedhësi Rafet Prekazi pas stërvitjes së sotme u shpreh i kënaqur pikësëpari me disiplinën e futbollistëve, por edhe me vullnetin dhe dëshirën e madhe për të dhënë maksimumin në stërvitje. “Djemtë e kanë kuptuar rëndësinë e të qenurit pjesë e Përfaqësueses. Disiplina e tyre është për lakmi, e po ashtu edhe vullneti dhe angazhimi i tyre për punë në stërvitjet e deritashme ka qenë në nivelin e duhur. Stërvitja e sotme ishte e lehtë, pasi nuk kemi dashur t’i ngarkojmë më shumë futbollistët pas atij udhëtimi të gjatë, por thjeshtë ka shërbyer për t’u përshtatur me klimën e këtushme dhe për një regjenerim. Deri te ndeshja me Irlandën do t’i kemi edhe dy stërvitje dhe do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë që të jetë e mundur”, ka theksuar Prekazi.
Ndërkaq, sulmuesi Mendurim Hoti shpreson në paraqitje të mirë në ndeshjen e parë zyrtare të Përfaqësueses U21.  Si ekip jemi komponuar mjaft mirë dhe stërvitjet po shkojnë në ritmin e duhur. Kemi lojtarë mjaft të mirë dhe e njohim lojën e njëri-tjetrit, pasi shumica prej nesh luajmë në kampionatin vendor. Besoj tek ky potencial që e kemi dhe shpresoj të kemi një paraqitje sa më të mirë dhe pse jo të shtunën të marrim edhe rezultat pozitiv kundër Irlandës. E dimë se na pret një rival i fortë, por ne po e bëjmë punën tonë dhe mbetet të shihet në ndeshje se sa do të arrijmë t’i kundërvihemi”, ka theksuar Hoti.
Përfaqësuesja U21 do t’i ketë edhe dy stërvitje tjera para ndeshjes së të shtunës kundër Irlandës.