25 mars, 2017 – Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka debutuar sot në kualifikimet për Euro 2019 në Dublin në ballafaqim me Irlandën. Pas një ndeshje mjaft të fortë dhe cilësore fitores iu gëzuan irlandezët, me rezultat 1:0. Kosova ishte e pafat në këtë ndeshje, pasi me lojën e shfaqur dhe me rastet që krijoi së paku e ka merituar të dalë me një pikë. Në fakt, në pjesën e parë loja në përgjithësi ishte e baraspeshuar, ku irlandezët u përpoqën të bëjnë presion drejt portës së Visar Bekajt por hasën në mbrojtje mjaft të konsoliduar të përfaqësueses sonë. Mundësinë më të mirë në këtë pjesë e patën irlandezët në minutën e 24-t, kur Connor Dimaio nga një pozitë ideale gjuajti mbi portë. Pjesën e dytë Kosova e nisi edhe më mirë, duke krijuar dy raste të mira brenda dy minutave. Fillimisht Leonard Pllana në minutën e 49-të gjuajti furishëm, por portieri arriti ta dëbojë topin në fundore, derisa më pas edhe Hoti tentoi të gjejë golin, por portieri Kieran O’Hara ishte i sigurt. Pikërisht në atë periudhë të mirë të lojës së djelmoshave tanë Irlanda arriti të kalojë në epërsi, kur pas dy pritjeve të Bekës pas gjuajtjeve të vendasve topi shkoi tek Olamide Shodipo, që e dërgoi topin në rrjetë. Vetëm dy minuta pas golit të pësuar Kosova sërish ishte afër golit, por gjuajtja e Mendurim Hotit e qëlloi shtyllën. Kosova vazhdoi me lojë të mirë dhe në kërkim të golit të barazimit, por gjuajtjen e Ajzerajt në minutën e 76-të e priti portieri, derisa në minutën e 81-të Mendurim Hotit sërish golin ia mohoi shtylla. Madje kësaj radhe topi e përshkoi po thuajse tërë vijën fatale të portës. Në minutat e fundit Kosova bëri presion të vazhdueshëm për të gjetur golin e barazimit, por nuk ia arriti qëllimit. Ndeshjen e radhës Kosova U21 do ta zhvillojë si mysafire kundër Norvegjisë, më 13 qershor. Do theksuar se ndeshjen Irlandë-Kosovë e ka ndjekur nga afër legjenda e futbollit irlandezë, Roy Keane.

Irlanda – Kosova               1:0

“Tallaght Stadium”
Shikues: Disa qindra
Gjyqtarë: Peter Kjaesgaard Andersen, Henrik Sonderby, Lars Hummelgaard (Danimarkë)
Kartonë të verdhë: Dimaio, Manning, Shodipo, Donnellan – Tejeci, Dabiqaj.
Shënues: Olamide Shodipo (56’)
Irlanda: O’Hara, Kane, Whelan, Donnellan, Sweeney, Dimaio, Charsley, Cullen, Manning (Grego-Cox), Curtis, Shodipo.
Kosova: Beka, Tejeci, Statovci, Kabashi, E. Hoti (Dabiqaj) Hasani, Pllana (Ajzeraj), Broja, M. Hoti, Maloku, Gashi.

Deklaruan pas ndeshjes:

Rafet Prekazi, përzgjedhës i Kosovës: Mendoj se rezultati është i padrejtë në bazë të lojës së shfaqur në fushë. Edhe pse për ne kjo ishte ndeshja e parë dhe nuk e kemi pasur kohën e mjaftueshme për t’u komponuar, djemtë këtë e kanë tejkaluar shumë mirë. Pjesa e parë ka qenë e barabartë sa i përket lojës, derisa në pjesën e dytë kemi dominuar në lojë dhe kemi qëlluar dy herë shtyllën. Mendoj se sot i humbëm tri pikë vetëm për mungesë të fatit. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me lojën që e kanë treguar këta djem në çdo aspekt. Pas ndeshjes irlandezët u shprehën të befasuar me atë çfarë treguam në lojë, por ne nuk jemi të befasuar sepse këtu ka brumë dhe këta djem të gjithë e meritojnë një 10-she për angazhimin dhe lojën e treguar nga stafi i Përfaqësueses. Thjeshtë këta djem na e kanë zbardhur fytyrën.
Noel King, përzgjedhës i Irlandës: “Ishte e këndshme për t’i fituar këto tri pikë. Ne e dimë se ka vend për përmirësime, por Kosova tregoi se do të jetë një test i vështirë për çdo skuadër në këtë fushatë kualifikuese. Ne u shfaqëm mirë në përgjithësi, por Kosova u mbrojt mirë. Ata kishin momentet e tyre dhe ishin të pafat që nuk e gjetën golin, prandaj ne jemi shumë të lumtur për fitoren. Ka pasur shumë gjëra pozitive nga kjo ndeshje dhe do të kemi kohë të mjaftueshme për t’i përmirësuar disa gjëra për ndeshjet e ardhshme”
Ardit Gashi: Sinqerisht nuk e di pse fati na e ktheu aq shumë shpinën në këtë ndeshje. Kemi luajtur shumë mirë dhe qëlluam dy herë shtyllën, por nuk arritëm ta çojmë topin në rrjetë. Mendoj se ishim më të mirë se irlandezët, por në fund ata i morën pikët. Irlanda ishte një kundërshtar shumë i fortë fizikisht, por me lojë ne ishim shumë më të mirë. Kjo ishte ndeshja jonë e parë dhe sigurisht se në ndeshjet e ardhshme do të jemi shumë më të fortë.