31 mars, 2017 – Sot në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë është zhvilluar ndeshja hapëse e javës së 23-të në Vala Superligë, ku Prishtina ka shënuar fitore në duel me Ferizajn, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj ndeshje e shënoi Gauthier Makenda, në minutën e 72-të nga afërsia, pas një skeme të përgatitur nga Leci dhe Dallku nga ndërprerja. Kësisoj, Prishtina ia shkaktoi humbjen e parë Ferizajt në stinorin pranveror. Pas kësaj fitoreje Prishtina e ruan pozitën e tretë me 45 pikë, derisa Ferizaj mbetet në kuotën e 21 pikëve në zonën e rrezikut. Nesër zhvillohet ndeshja ndërmjet Feronikelit dhe Drenicës, derisa sfidat e tjera të javës së 23-të luhen të dielën.