Durrës, 4 prill, 2017 – Me përkushtim e entuziazëm vashat e Përfaqësueses “A” të Kosovës në konkurrencën e femrave kanë vazhduar të punojnë edhe në stërvitjen e pasdites. Në radhët e ekipit përfaqësues po vërehet një vullnet e dëshirë për rezultate të mira, por me një optimizëm mjaft të matur. Kjo vërehet edhe në deklaratat e disa prej futbollisteve pas përfundimit të stërvitjeve.
 
Edona Kryeziu
Jemi duke u përgatitur siç është më së miri. Kundërshtaret i njohim sidomos Kombëtaren shqiptare, por ne do ta bëjmë punën tonë siç është më së miri. Do të japim gjithçka nga vetvetja në mënyrë që të arrijmë rezultat pozitiv.
 
Feride Kastrati  
Unë kam besim në vete dhe të bashkëlojtaret se do të japim maksimumin në këto ndeshje parakualifikuese. Edhe pse jemi të vetëdijshme se kundërshtaret tona janë ekipe të forta e me përvojë më të madhe, por gjithsesi në radhët tona përzgjedhësja Afërditë Fazliu ka ndërtuar një karakter fitues të ekipit, ndaj besoj në rezultat pozitiv.
 
Valentinë Limani
Si ekip jemi duke u përgatitur mjaft mirë. Kemi një vullnet të mirë dhe do të japim më të mirën dhe kur kemi vullnet e dëshirë besoj se nuk do të mungojë as rezultati pozitiv. Edhe në Përfaqësuese por edhe në klubin ku luajë në Frankfurt ekziston vetëm ndjenja e suksesit assesi dorëzim.