5 prill, 2017 – Përfaqësuesja “A” e Kosovës në konkurrencën e femrave është zhvendosur nga Durrësi dhe është vendosur në hotelin “Univers” në Elbasan, ku nesër do të përballet me Kombëtaren e Shqipërisë në ndeshjen e parë parakualifikuese në Grupin B për Kampionatin botëror 2019 që do të mbahet në Francë. Përfaqësuesja ka mbajtur pasdite stërvitjen e fundit para kësaj ndeshje duke demonstruar të gjitha taktikat e mundshme e që loja e Shqipërisë nuk është e panjohur për përzgjedhësen Afërditë Fazliu. Është një atmosferë e jashtëzakonshme që po mbretëron në radhët e ekipit përfaqësues që jep shpresa për një rezultat pozitiv. Ndërkaq, pas stërvitjeve përzgjedhësja dhe disa nga futbollistet u deklaruan në lidhje me takimin e nesërm.
 
Afërditë Fazliu, përzgjedhëse
Ne sot jemi vendosur në Elbasan, përkatësisht në hotel “Univers”, një hotel me kushte të mira, por sa i përket terrenit për stërvitje nuk jam e kënaqur sepse nuk e kam pritë një terren jo të përshtatshëm për stërvitje. Megjithatë ne jemi munduar që t’i kryejmë obligimet dhe detyrat që i kemi për këtë ndeshje. Me gjithë përgatitjet që i kemi bërë ne kemi disa probleme administrative në regjistrimin e futbollisteve, probleme këto që e kanë përcjellë edhe Përfaqësuesen e A te meshkujt. Pra definitivisht edhe neve po na përcjellin të njëjtat probleme administrative. Në ndeshjen kundër Shqipërisë nuk do të jemi komplet ashtu siç e kishim paraparë, por ne brenda mundësive do të përpiqemi që me ato futbolliste që i kemi në dispozicion të komponojmë ekipin dhe të tregojmë një lojë të mirë. Për mua ishte diçka e papritshme kjo listë që mos të kemi mundësi të regjistrimit të gjitha lojtareve. Megjithatë është një grup i mirë dhe homogjen dhe do të orvatemi të japim më të mirën.
 
Blerina Musa, futbolliste
Ekipi është përgatitur për këto ndeshje mjaft mirë. Ndeshja kundër Shqipërisë nuk do të jetë e lehtë, por ne do të japim më të mirën për të arritur objektivat tona. Mendoj se si grup do të veprojmë siç është më së miri.
 
Agnesa Rexha, futbolliste
Punën me përkushtim të madh bashkë me detyrat që na i ka parashtruar Shtabi teknik, unë besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Dhe krejt kësaj t’i shtohet edhe vullneti dhe dëshira e jonë për sukses unë besoj se rezultati nuk do të mungojë.
 
Kaltrinë Biçkaj, futbolliste
Për ne kjo do të jetë një ndeshje shumë interesante sepse kjo do të jetë edhe ndeshja e parë parakualifikuese. Ekipi është përgatitur mirë dhe kemi në bashkëpunim ndërmjet vete dhe kështu do të mundohemi që të japim maksimumin, që na jep besim se do të arrijmë rezultatin e duhur,
 
Florentinë Kolgeci, futbolliste
Ndeshja e nesërme do të jetë e një rëndësie të veçantë për Përfaqësuesen tonë, sepse jemi një përfaqësuese që e ka debutimin e parë në arenën ndërkombëtare në një ndeshje zyrtare. Si grup jemi mjaft homogjen dhe me punën që e kemi bërë këto ditë nuk do t’i zhgënjejmë adhuruesit.