Elbasan, 6 prill 2017 – Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka debutuar me humbje në garat zyrtare të FIFA-s, por ka lënë mbresa me paraqitjen e saj. Vashat e drejtuara nga Afërdita Fazlija kanë luajtur sot kundër Shqipërisë në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e parë të Grupit B në kuadër të paraeliminatoreve për Botërorin “Francë 2019” dhe kanë pësuar humbje me rezultat 3:2, ndonëse me lojën e shfaqur e kanë merituar së paku një pikë. Ballafaqimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ishte përplot me emocione deri në vaje ndërmjet vashave të Kosovës dhe atyre kosovareve që luajnë për Shqipërinë. Kjo bëri që ndeshja të jetë e ngarkuar psikologjikisht. Si do qoftë takimi nisi me maturi nga të dyja palët, ndërsa Shqipëria kaloi në epërsi në minutën  e 17-të përmes kosovares Arbiona Bajraktari, që shënoi me gjuajtje me kokë.  Goli i pësuar veç sa i mobilizoi futbollistet e Kosovës, të cilat barazuan në minutën e 35-të, pasi Agnesa Rexha shfrytëzoi një pakujdesi të portieres Zani dhe ia rrëmbeu me kokë topin nga duart për ta dërguar më pas në portën e zbrazët për rezultatin 1:1, me të cilin rezultat u përmbyllë pjesa e parë. Pjesa e dytë  e ndeshjes filloi furishëm nga ana e Kombëtares shqiptare, por mbrojtja e mirë e Kosovës dhe kundërsulmet dhanë rezultatin e vet. Sërish ishte Agensa Rexha, e cila pas një harkimi të shkëlqyeshëm të Edona Kryeziut, shënoi me kokë në minutën e 59-të. Mikpritëset sulmuan pareshtur dhe barazuan nga gjuajta e lirë përmes Fortuna Velajt në minutën e 79-të. Kur po mendohej se ndeshja do të mbyllej baras, në minutën e 95-të, pas një gjuajtje nga krahu i majtë të lojtareve të Shqipërisë, në përpjekje për ta larguan topin nga zona, Blerina Musa me kokë e dërgoi në portën e vet, për 2:3. Kështu Shqipëria fitoi në minutat shtesë falë këtij autogoli. Ndeshjen e radhës Kosova do ta zhvilloi më 8 prill në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë kundër Greqisë.
Shqipëria  – Kosova 3:2  (1:1)
Stadiumi: Elbasan Arena
Shikues: 3000
Gjyqtare: L. Clark, V/ M. Allan, S. Masey dhe A. Rayner.
Shënuese:    A. Bajraktari (17),  Velaj (79) e B. Musa (95 ag.)  për Shqipërinë – A. Rexha (35 e 59) për Kosovën.
Shqipëria: Yani, Curraj(Proto), Rrahmani, Bajraktari, S. Jashari, L. Begolli(Krasniqi), Morina, Velaj, Gjini, Franja dhe Doçi.
Kosova: Kolgeci, Kastrati,  Kaçiu(Miftari), Bajra (B. Musa),  Shala, Limani, Kryeziu, Syla (Morina), Durguti, Rexha dhe Biçkaj.
 
Deklaratat pas ndeshjes
Afërditë Fazliu, përzgjedhëse e Kosovës
Ishte një ndeshje e mirë. Ne dhamë maksimumin tonë. Shqipërisë i uroj fitoren. Patëm shumë telashe pasi që për shkaqe administrative nga UEFA nuk patëm mundësi t’i aktivizojmë 6 lojtare kyçe, ndaj na u deshtë detyrimisht të kombinojmë ekipin dhe të ndryshojmë skemën e lojës. Ishte edhe një ndeshje me ngërç psikologjik për ne dhe Shqipërinë duke marrë për bazë që përballë njëra-tjetrës ishin vashat që janë nga Kosova e luajnë për Shqipërinë dhe vashat e Kosovës. Qysh kur na ka ra shorti ka qenë një emocion i veçantë. Por, sido qoftë ne u përpoqëm të bëjmë më të mirën të mundshme.
 
Blerta Kaçiu, kapitene  
Ndonëse u lëndova dhe me vjen keq që nuk munda ta ndihmojë ekipin deri në fund, mendoj se ishte një lojë e vështirë e fortë dhe ne jemi angazhuar  maksimalisht. Kemi mundur edhe të fitojmë, por ne fund ishim edhe të pafat. Por ky është futbolli dhe magjia e tij. Shqipërisë i uroj sukses.
 

Agnesa Rexha, shënuese e dyfishtë

Ndeshja ishte e mirë dhe ne si grup kemi vepruar si tërësi. Për mua ishte një ndjenjë e veçantë që arrita të shënojë golin e parë për Përfaqësuesen e Kosovës në garat zyrtare ndërkombëtare dhe më emocionues ishte edhe goli i dytë që kalova Kosovën në epërsi e krejt këtë e arrita falë bashkëlojtareve. Ishte mëkat që nuk fituam sidoqoftë e uroj Shqipërinë për këtë fitore.
 
Amir Grima, përzgjedhës i Shqipërisë
Ndeshja ishte me një ngërç psikologjik për të dyja palët e kjo u vërejt në pjesën e parë. Qarkulluam topin më shumë, por edhe kishim disa gabime që besoj se do t’i përmirësojmë në vazhdim. Jemi një ekipi relativisht i ri. Kosova luajti mirë dhe pati rastet e veta, por në fund fituam ne.