Tiranë, 8 prill, 2017 – Jo për ta arsyetuar Kombëtaren A të Kosovës në konkurrencën e femrave, por për ta thënë të vërteten aspak të këndshme, e cila në mungesë të 6 futbollisteve nga përbërja e parë për mungesë të vendimeve administrative nga UEFA , me mungesën e shtyllës së mbrojtjes Blerta Kaçiu, e cila u lëndua në gjurin e djathtë, në ndeshjen e parë kundër Kombëtares shqiptare dhe me një bankinë të varfër rezervash, nuk ka mundur të pritet ndonjë mrekulli veç këtij rezultati që ishte sot në përballje me Greqinë  në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë, 0:6. Vajzat e Kombëtares së Kosovës e nisen mirë ndeshjen dhe në fillim të pjesë së parë krijuan disa raste shënimi por u mungoi kurorëzimi. Greket ishin më të përqendruara dhe arritën golin e parë në minutën e 32-të të ndeshjes përmes Markout. Dhe vetëm 8 minuta më vonë (40) shënuan edhe golin e dytë përmes Chatzigianndout. Me rezultatin 2:0 përfundoi pjesa e parë. Dhe pjesa e dytë nisi sërish me një mbizotërim të kombëtares greke, të cilat me anë të Kakambouikit në minutën e 52-të shënuan për rezultatin 3:0. Duhet përgëzuar vajzat e kombëtares tonë, për shpirtin luftarak që nuk i demoralizoi kjo epërsi por luftuan deri në fund, ani pse Kombëtarja greke arriti të shënojë edhe tri herë në minutën 57-të shënoi Nati, në atë 76-të Kongouli dhe serinë prej 6 golave e mbylli Sidira. Si në ndeshjen e parë edhe nga kjo ndeshje sigurisht se Kombëtarja e Kosovës do të dalë me një përvojë më të madhe. Shtabi teknik tashmë i ka të qarta përparësitë dhe mangësitë e reparteve në kombëtare.
 
Greqia – Kosova  6:0  (2:0)
Stadiumi: Selman Stërmasi – Tiranë
Shikues:  Disa dhjetëra
Gjyqtare:  A. Rayner, S. Massey, F.  Borova dhe E. Rusta.
Shënuese: Markou (32), Chatzigianndou (40), Kakambouki (52) , Nati (57), Kongouli (76), (Sidira).
Greqia:  Peletidou, Kakambouki (Sidira), Gkatsau, Nati, Chatzigianndou, Panteliadou, Dimitrou (Kotsaki), Papadopoulu (Kongouili), Moraitou, Makou dhe Gergiou.
Kosova: Kolgeci, Fe. Kastrati,  Fat. Kastrati (Lushtaku) , Shala, Limani, Kryeziu, Syla , Durguti, Rexha (B.Musa), Morina (Bajra) dhe Biçkaj.
 
Deklaruan pas ndeshjes
Afërditë Fazliu, përzgjedhëse
Paraprakisht e kemi ditur se kemi të bëjmë më një kundërshtar të fortë si Greqia, madje që llogaritet favoritë në grupin B. Neve nga mungojnë futbollistet dhe me këtë fond të lojtareve, të cilat nuk kanë kapacitet që për tri ditë t’i zhvillojnë dy ndeshje është paksa e vështirë të arrihet diçka më shumë. Është e papërballueshme në këto momente për ne.  Pastaj edhe mungesa e përvojës e bëri të veten. Neve na mbetet të punojmë shumë, të rrisim kapacitet tona edhe numerike edhe cilësore që të ndërtojmë në strukturë të një Kombëtareje të mirëfilltë. Unë besoj se kemi mundësi dhe shpresoj se do ta bëjmë një gjë të tillë në të ardhmen.
 
Marigonë Durguti, futbolliste
Ishte në ndeshje e vështirë. Patëm një lodhje dhe nuk arritëm shumë ta ndihmojmë njëra tjetrën. Siç dihet kemi shumë mungesa dhe në mesin e tyre na mungoi edhe kapitenia Blertë Kaçiu, shtylla mbrojtëse e jona, e ne u përpoqëm që ta japim maksimumin dhe ta bëjmë më të mirën, por greket ishin më superiore.
 
Edona Kryeziu, zv. kapitene e parë
Kemi qenë të vetëdijshme se kemi përballë një Kombëtare të fortë dhe cilësore. Ne dhamë gjithçka nga vetja. Ishte edhe përvoja që na mungonte, ndaj edhe pësuam me këtë rezultat. Por, ne jemi ekip i ri dhe ngadalë do të rritemi në nivelin e duhur.
 
 
Valentinë Limani, zv. Kapitene e dytë
Në këtë ndeshje nuk arritëm shumë të bëjmë lojën kolektive. Kishte mjaft individualizëm, kurse do të duhej më shumë ta ndihmonim njëra-tjetrën, ndonëse ekipi grek ishte më i mirë. Por, kam besim se jemi grup i mirë dhe mund të bëhemi shumë më të mira në vazhdim.