15 prill, 2017 – Sot në Grunberg të Gjermanisë ka filluar kampi i Përfaqësueses U-15, ku po marrin pjesë 28 futbollistë që luajnë në skuadra gjermane, e me të cilët po punojnë përzgjedhësi i kësaj grupmoshe Gazmend Haliti me trajnerin Isa Sadriu, të cilëve po u ndihmon edhe përzgjedhësi i Përfaqësueses U-17, Besnik Kollari. Në ditën e parë të këtij kampi për vizitë ishte edhe drejtori teknik i FFK-së, Michel Nees. Pas përfundimit të stërvitjes së parë përzgjedhësi Gazmend Haliti u shpreh i kënaqur me kushtet që ofron qendra sportive në Grunberg, si dhe me angazhimin e futbollistëve të rinj. “Dita e parë e kampit kaloi shumë mirë. Këtë na e mundësoi edhe kjo qendër sportive e cila ofron kushte për punë profesionale me këta djelmosha. Në stërvitjen e parë punuam në aspektin teknik dhe lojën me zona, me posedim të topit nën presion të kundërshtarit. Jemi shumë të kënaqur me potencialin e këtyre futbollistëve, të cilët vijnë nga klube me renome në Gjermani”, ka theksuar Haliti. Nesër gjatë këtij kampi do të mbahen dy stërvitje, deria të hënën edhe dy stërvitje tjera.