17 prill, 2017 – Sot ka përfunduar Kampi U-15 në Grunberg, ku ishin të përfshirë 28 futbollistë me origjinë nga Kosova që luajnë në klubet gjermane. Gjatë tri ditëve sa zgjati ky kamp, trajnerët Gazmend Haliti, Isa Sadriu e Besnik Kollari punuan me përkushtim të madh me këta djelmosha, të cilët në të ardhmen do të mund të jenë potencial i madh i Përfaqësueses së Kosovës. Përzgjedhësi i Përfaqësueses U15, Gazmend Haliti, në përmbyllje të këtij kampi u shpreh i kënaqur me punën e bërë dhe me kushtet që iu krijuan për punë në këtë kamp, megjithëse në ditën e sotme pati vështirësi si pasojë e kushteve atmosferike. “Kampi u përmbyll me sukses të madh. Sot kushtet ishin më të vështira për shkak të reshjeve të borës, por as kjo nuk na pengojë të punojmë ngase bora u pastrua dhe ne e kryem kampin sipas planprogramit. Kushtet që i ofron qendra stërvitore në Grunberg na mundësuan të punojmë në mënyrë profesionale dhe gjatë këtyre tri ditëve arritëm të punojmë në aspektin teknik, taktikë mbrojtje individuale, grupore dhe taktikë në sulm. Ky kamp na mundësoi t’i shohim nga afër cilësitë e secilit futbollistë. Ne i këshilluam futbollistët që të vazhdojnë të punojnë shumë në klubet e tyre sepse janë në një konkurrencë shumë të madhe për listën e ngushtë për kualifikimet që na presin vitin e ardhshëm me këtë grupmoshë”, ka theksuar Haliti.