21 prill, 2017 – Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli, ka shënuar fitore në ndeshjen hapëse të javës së 27-të në Vala Superligë kundër Hajvalisë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas është mbyllur me rezultat bindës në të mirë të Feronikelit, me shifrat 6:0. “Njomakët” e Hajvalisë nuk arritën t’i rezistojnë skuadrës së Afrim Tovërlanit, e cila e kishte marrë me seriozitetin e duhur këtë sfidë. Bujar Shabani realizoi ’het-trik’, derisa me nga një gol në këtë fitore kontribuuan edhe Labinot Osmani, Mentor Zhdrella e Yll Hoxha. Nesër zhvillohet ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, derisa sfidat tjera luhen të dielën.