20  maj,  2017 – Castlebar- Republika e Irlandës – Kombëtarja e Kosovës U-17 pasi është vendosur mbrëmë në Resortin Hotel Beaffy, paradite ka mbajtur takimin e parë e ku përzgjedhësi Besnik Kollari i njohu futbollistët e rinj, për rëndësinë e këtij turneu si dhe për mënyrën e paraqitjes së ekipit kombëtar. “Për ne ky turne është mjaft domethënës dhe këtu jemi me ekipin më të mirë të mundshëm. Ka vend dhe hapësirë edhe për të tjerë, por në këto rrethana kjo është përbërja. Duhet që të paraqitemi sa më mirë, të tregojmë cilësi, frymë sportive, angazhim maksimal duke kryer me përpikëri detyrat tona dhe ju t’i zbatoni ato në fushë”, ka theksuar Kollari para futbollistëve. Pasdite futbollistët e Kombëtares U-17 mbajtën seancën e parë  stërvitore, ku shtabi  teknik punoi në skemat e ndryshme të lojës, për një kundërvënie sa më të mirë dhe të suksesshme Kombëtares së Danimarkës në ndeshjen e nesërme e cila zhvillohet në orën 18.30 sipas kohës lokale në stadiumin “Ballina”. Sipas mjekut të Kombëtares dr. Murat Berisha gjendja shëndetësore e futbollistëve është e mirë. Stërvitjet i ndoqën anëtari i KE të FFK-së, Iljaz Mjaku, drejtori i ekipeve kombëtare, Artan Govori dhe drejtori teknik Michael Ness. Pas përfundimit të stërvitjeve morëm mendimet e përzgjedhësit Besnik Kollari dhe disa prej futbollistëve.

Besnik Kollari, përzgjedhës
Kjo është ndeshja e katërt dhe e kemi parasysh se Danimarka është një skuadër e fortë dhe jo vetëm kjo por edhe dy kombëtaret tjera kanë përvojën më të madhe. Por, ne siç kam thënë edhe më herët duhet të angazhohemi maksimalisht të japim më të mirën e mundshme, të zbatojmë detyrat e parashtruara  më parë në fushë. Ky është një test i mirë për ne për ndeshjet parakualifikuese. Nuk e njohim Danimarkën por nga ajo që dihet, ka përvojë dhe luan një lojë të fortë, ndërsa neve na mbetet që të luajmë lojën tonë dhe të nxjerrim rezultat pozitiv.
Edin Hyseini, futbollist
Mendoj se jemi përgatitur mjaft mirë dhe unë shpresoj se kjo përgatitje dhe ky mund do të japë frytin e vet dhe do të shënojmë fitore. Atmosfera e mirë në grup do të jep rezultatin e duhur.
Armend Gashi,   futbollist
E dimë që nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por ne do të luajmë mirë, do të japim maksimumin, për një rezultat pozitiv i cili do na jap shtytje për ndeshjet tjera.
Robert  Rrahmani, futbollist
Në bazë të asaj që kemi punuar edhe në grumbullimet e më hershme, por në veçanti tash si dhe duke parë vullnetin e përkushtimin e të gjithëve kjo na jep shpresë se në ndeshjen e nesërme do të korrim fitore edhe pse pres një lojë të fortë.
Blendi Morina, futbollist
Jemi një grup homogjen, dhe unë me bashkëlojtarët do të angazhohemi maksimalisht për një rezultat pozitiv edhe pse kemi pak njohuri për kundërshtarin.