23 maj, 2017 – Castlebar (Republika e Irlandës) – Kombëtarja e Kosovës U17 ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë në kuadër të turneut ndërkombëtar që po mbahet në Castlebar të Irlandës në organizim të UEFA-s. Të përzgjedhurit e Besnik Kollarit pas fitores në ndeshjen e parë kundër Danimarkës, sonte kanë pësuar humbje nga skuadra nikoqire, Irlanda, me rezultat 1:2.  Ishte kjo një ndeshje jashtëzakonisht e mirë e futbollistëve të Kombëtares së Kosovës U-17 kundër Republikës së Irlandës, por jo gjithmonë fiton më i miri. Djemtë e Kosovës luajtën më mirë e qarkulluan topin më mirë dhe bashkëvepruan shumë bukur, por pjesa e parë u përmbyllë me rezultat të barabartë pa gola, Pjesa e dytë sërish nisi me lojë të bukur nga futbollistët e Kosovës, ku krijuan aksione të mira dhe të rrjedhshme dhe si rezultat i kësaj Kosova kaloi në epërsi në minutën e 45-të ndeshjes (ndeshjet luhen 2 herë nga 40 minuta), përmes Albin Prapashticës. Irlandezët më kot përpiqeshin të barazojnë rezultatin, por për ndryshim të rrjedhës u përkujdes gjyqtari  Campbell, i cili në minutën e 50-të akordoi penallti të paqenë dhe nga pika e bardhë ishte i saktë Parrot dhe rezultati barazohet në 1:1. Në vazhdim futbollistët e Kosovës krijuan disa raste shënimi dhe irlandezët nuk po gjenin rrugën drejt portës, sepse mbrojtja e Kosovës ishte kështjellë, por sërish gjyqtari u kujdes që të përjashtojë nga 8 minuta dy lojtarë të Kosovës dhe kështu në minutën e 73-të bie goli i epërsisë kur shënoi zëvendësuesi Kennedy.  Me këtë rezultat edhe u mbyllë ndeshja dhe lirisht mund të thuhet se humbjes së Kosovës në masë të madhe i ndihmoi gjyqtari Campbell. Kosova më 25 maj ballafaqohet në ndeshjen e fundit me Irlandën Veriore.
 
Besnik Kollari, përzgjedhës
Thënë realisht sot djemtë kanë luajtur shumë më mirë se në ndeshjen kundër Danimarkës, gjë që flet edhe goli që shënuam. Patëm më shumë nga loja, por jo për të arsyetuar humbjen por vërtet gjyqtari  kryesor nuk ishte në nivelin e detyrës sepse përveç një penalltie që fare nuk ka ekzistuar, ai pa të drejtë na i përjashtoi dy futbollistë nga 8 minuta  dhe kjo bëri të veten që irlandezët të shënojnë fitore.  Mungesa e përvojës u pa edhe në këtë ndeshje si dhe mungesat që kemi prej fillimi, por gjithsesi  unë i përgëzoj futbollistët për angazhim.

Albin Prapashtica, shënues i golit

Ishte një ndeshje e mirë dhe jam i lumtur që arrita të shënoj gol. Kemi luajtur shumë mirë si ekip, por mendoj se gjyqtari na ka dëmtuar shumë. Neve na mbetet  të mendojmë për ndeshjen e radhës.
 
 
Arton Tolaj, futbollist
Ishte një ndeshje e mirë të cilën duhej ta fitonim ne, sepse në çdo aspekt ishim më të mirë por fitorja na u mohua nga gjyqtari. Me përjashtim e dy futbollistëve natyrisht që krijohet hapësira më madhe dhe irlandezët fituan me një lojë të dobët të ndihmuar nga gjyqtari.
 
 
Adonis Aliu, futbollist
Një ndeshje e vështirë, por e mirë dhe ne ishim përgatitur që të shënojmë fitore, por nganjëherë edhe kur luan mirë nuk fiton aq më parë kur për kundërshtarë e ke edhe gjyqtarin. Si do qoftë ne dhamë maksimumin dhe patëm një paraqitje të mirë.
 
 
Dorian Osmanollaj, futbollist   
Kemi luajtur  mjaft mirë dhe shpejt edhe pse na kanë bërë presion dhe kemi hedhë shumë topa jashtë. Jemi  të kënaqur me lojën. Shënuam të parët, por na theu një penallti  tejet e dyshimtë, pastaj përjashtimet dhe irlandezët shënuan edhe golin e dytë dhe më nuk arritëm të bëjmë më shumë.
 
 
Republika e Irlandës – Kosova    2:1 (0:0)
Stadiumi : Solar park 21
Shikues:  disa  qindra
Gjyqtarë: Ch. Campbell, B. Folan, J. Hession e J. O’Connor
Shënues: Prapashtica (45) për Kosovë – Parrot (50 pen) dhe Kennedy (73) për Republikën e Irlandës.
Republika e Irlandës:  Bohan, Mc. Entee(Spain), Knight(Coffy), Parrot, Walsh(Kennedy), Trehy, Grant(Brennan), Tierney, Muligan, O Reilly(Murphy) e Everitit (Mahon).
Kosova:  Loxha,  Shabani(E. Hzseini), Ismajlaj(Olluri), Osmanollaj, Aliu(Rrahmanj), F. Hysenaj(Musa), Prapashtica(Demolli), Osmani(Gashi), Morina(Salihu), Sadriu e Tolaj(M. Hyseni).