28 maj, 2017 – Stadiumi “Riza Lushta” në Mitrovicë sot ishte i stërmbushur me tifozë, pasi Trepça’89 festoi titullin e parë të kampionit në Vala Superligën e Kosovës. Skuadra mitrovicase titullin historik e kishte siguruar qysh para dy javësh, por festa e madhe u organizua pikërisht në ndeshjen e fundit të edicionit kundër Feronikelit. Ndonëse fitores në këtë ndeshje iu gëzua skuadra mysafire nga Drenasi, me rezultat 3:0, kjo nuk e prishi festën e Trepçës’89, e cila me meritë iu gëzua trofeut me 24 fitore, 5 barazime e 4 humbje dhe kësisoj do të jetë skuadra e parë e cila do ta përfaqësojë Kosovën në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Golat për Feronikelin i shënuan Mendurim Hoti, në minutën e 10-të pas harkimit të Doshlakut nga krahu i djathtë, Abu Hazard Kamara, në minutën e 32-të me gjuajtje nga distanca pas bashkëveprimit me Hotin dhe Mevlan Zeka, në minutën e 82-të pas asistimit të Haxhi Shalës. Trofeun e kampionit kapitenit të Trepçës’89, Shpëtim Idrizi ia dorëzuan nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe drejtori i kompanisë Vala, Agron Mustafa, njëherësh anëtar i KE të FFK-së, derisa medaljet për kampionët i dorëzuan sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu dhe anëtari i KE të FFK-së, Xhelal Broja.
Do theksuar se me një medalje të kampionit u nderua familja e ish-futbollistit të Trepçës’89, Fisnik Muharremi, i cili u nda më herët nga jeta, të cilën e pranoi Muharrem Muharremi.
Ndërkohë, Liria shënoi fitore me rezultat bindës kundër Hajvalisë, 9:1, për t’iu shmangur përfundimisht barazhit, për të lënë në barazh Dritën dhe Ferizajn, të cilat mbetjen në elitë do ta kërkojnë në ndeshjet kundër Dukagjinit, përkatësisht Vllaznisë, skuadra këto që e mbyllën edicionin në pozitat 3 dhe 4 në Ligën e Parë.
Para ndeshjes Trepça’89 – Feronikeli, u ndan medaljet dhe kupat për grupmoshat e reja të rajonit të Mitrovicës, të cilat i ndanë; Adem Çollakaj, kryetar i LRF të Mitrovicës dhe Hajrullah Haxhiu sekretar, ndërsa kupën për Ligën e Kadetëve e dorëzoi kryetari i LRF të Prishtinës dhe kryetari i Komisionit të Garave të kësaj lige, Ismajl Ajeti.
Deklaruan
Abedin Zeka, president i KF “Trepça’89”: Titulli i kampionit është një ndjenjë e veçantë. Në fillim nuk na kanë vlerësuar shumë si kandidat për titull dhe ky ka qenë fati ynë. Kjo na ka mundësuar të punojmë të qetë dhe të shkojmë ndeshje pas ndeshje drejt fitoreve dhe në fund ia kemi arritur qëllimit. Tash na pret një rrugë edhe më e vështirë se që ka qenë deri më tash, pasi do të jemi pjesëmarrës të parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve. Do të vazhdojmë me punë dhe do të përgatitemi në Slloveni për të kaluar së paku një xhiro në Ligën e Kampionëve.
 
Shpëtim Idrizi, kapiten i Trepçës’89: Më të vërtet është kënaqësi e madhe të jesh kampion i shtetit. Ka qenë ëndrra ime që të shpallem kampion me Trepçën’89. Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, pasi kanë qenë katër ekipe pretendente për titull, por ne në fund e kemi fituar titullin e kampionit me meritë. Mendoj se ky është titulli më i veçantë, pasi është titulli i parë për Trepçën’89, por edhe do të jetë skuadra e parë që do ta përfaqësojë Kosovën në Ligën e Kampionëve.
 
Oto John John, golashënuesi më i mirë me 26 gola: Jam i gëzuar për këtë titull. Nuk ka qenë e lehtë, pasi rruga deri këtu ka qenë sfiduese. Dua të falënderoj të gjithë bashkëlojtarët, trajnerët dhe tifozët për përkrahjen. Unë golashënuesi më i ri në Kosovë me 19-vjet? Jam i lumtur për këtë fakt, por nuk ka qenë e lehtë për t’u arritur ky rekord. Golat e mi kanë ardhur në saje të lojës së mirë edhe të bashkëlojtarëve të mi.
 
Rezultatet e sotme
Vala Superliga
Trepça’89 – Feronikeli  0:3
Drenica – Prishtina 1:3
Ferizaj – Llapi 1:2
Liria – Hajvalia 9:1
Drita – Besa 2:0
Grupi A
Luftëtari – Gryka           3:1
Dukagjini –  Malisheva 2:0
Behari – Dushkaja        1:0
Grupi B
Arbëria – Galaksia        2:2
Tefik Çanga – Kika        0:2
18 Korriku – Bashkimi (K)      0:4
Vjosa – Lepenci   2:1
Superliga Juniorët
Ramiz Sadiku – Feronikleli    2:0