6 korrik, 2017 – Skuadra nënkampione e Kosovës, Prishtina është eliminuar në rrethin e parë në Europa League, pasi ka pësuar humbje edhe në ndeshjen e kthimit kundër skuadrës suedeze, Norrkoping, me rezultat 0:1. Humbja me rezultat të thellë në Suedi (0:5), bëri që prishtinasit ndeshjes në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë t’i qasen me një vëmendje më të madhe në mbrojtje, duke mos lejuar që të rrezikohet shpesh porta e tyre. Prishtina luajti dukshëm më mirë se në sfidën e parë dhe krijoi disa raste të mira, ndonëse skuadra suedeze në këtë ndeshje nuk i përfshiu në përbërjen e parë katër futbollistët më të mirë. Mundësi të mira patën Leci, në minutën e 25-të kur me kokë gjuajti afër portës, Maxhuni në minutën e 37-të kur nga distanca qëlloi shtyllën e jashtme të portës suedeze, si dhe Khalid në minutën e 60-të kur nga afërsia gjuajti pranë portës. Në anën tjetër, Norrkoping rastin e vetëm të mirë arriti ta shndërrojë në gol, kur Sebastian Andersson fitoi një duel në krahun e majtë me Dallkun në minutën e 71-të dhe e dërgoi topin në rrjetën e Muqiqit. Do theksuar se këtë ndeshje e ndoqi nga afër edhe presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri.