Në bazë të prioriteteve të proklamuara  nga ana e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës , të kryesuar nga  Fadil  Vokrri – president,  e të inkorporuara në “ CAO “ të FIFA Forward Program dhe UEFA HatTrick për riformatizimin dhe eficiencën e Lidhjeve  Rajonale të Futbollit (LRF), obligohen të gjitha Lidhjet Rajonale, Klubet e Futbollit, Shkollat e futbollit të të gjitha niveleve  dhe Shoqatat e gjyqtarëve e trajnerëve që të kompletojnë përgatitjet për sistemin e ri të regjistrimit të klubeve, lojtarëve dhe anëtarëve  të tjerë  të FFK-së.
Çdo individ do të këtë  ID kartelën e vet unike me numrin e përhershëm të identifikimit, i cili do të futet në  “FIFA Connect Registration Platform” programin për regjistrimin  e lojtarëve  dhe klubeve.
Lidhjet Rajonale  ndalohen që të shtypin libreza të reja dhe të marrin çfarëdo  shume në këtë kontekst. Sekretari i LRF do të  propozohet nga  kryetari i saj dhe  miratohet nga KE i FFK-së dhe do të paguhet nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Të gjitha pagesat do të bëhen direkt në xhirollogarinë e FFK-së, ndërsa mjetet e grumbulluara nga çdo  LRF do t’i kthehen atyre, për projektet që i parashohin kryetaret e LRF-ve.
Të gjitha  klubet duhet të bëjnë  futjen – riregjistrimin e anëtarëve të saj në sistem dhe do të marrin kartelën me  ID, direkt nga  FFK-ja.
Xhirollogaritë  e LRF-ve  do të mbyllen dhe asnjë klub nuk mund të bëjë  asnjë llojë pagese në asnjë  LRF përpos  në xhirollogarinë zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Të gjitha organet e LRF-ve (Komisari i Garave, Komisioni Disiplinor dhe Komisioni i delegimit të Referëve) si dhe meditjet standarte të anëtarëve të Bordit do të paguhen nga  FFK-ja, në bazë të vendimit të  KE të FFK-së.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do t’i ndihmojë  të gjitha  LRF dhe klubet e saja në të gjitha aspektet për të promovuar vlerat e transparencës, punës profesionale dhe parimet e UEFA-s dhe FIFA-s.
Sekretari i Përgjithshëm
Eroll  Salihu