19 korrik, 2017 – Paraditen e sotme Kombëtarja e Kosovës U-19 në konkurrencën e femrave ka mbajtur stërvitjen e parë  në stadiumin e fushës sintetike në Ferizaj. Në një atmosferë jashtëzakonisht të mirë Shtabi teknik i Kombëtares i përbërë nga Përzgjedhësi Kushtrim Munishi, ndihmësit e tij Megzon Visoka dhe Labinot Qosa me përkushtim  punuan dhe shpalosen situatat e ndryshme në lojë si dhe ndërlidhja dhe bashkëpunimi ndërmjet reparteve, nga faza e mbrojtjes, transformimi i lojës dhe mesfushës deri te sulmi. Kombëtarja nesër po ashtu prej orës 9.00 në të njëjtën fushë do të vazhdojë me stërvitjen e radhës. Pas stërvitjes deklaruan:
 
Kushtrim Munishi, përzgjedhës
Jemi në hapat e parë të themelimit të Kombëtares U-19 të femrave dhe natyrisht kemi vështirësi në gjetjen dhe përzgjedhjen e vashave, duke marrë për bazë që futbolli i femrave tek ne është ende në fillim. Por ne do të punojmë me ngulm për ta formuar Kombëtaren dhe do të përgatitemi brenda mundësive tona për ndeshjet parakualifikuese për Kampionatin evropian 2018. Siç dihet Kosova është në grup me Gjermaninë, Islandën dhe Malin e Zi dhe ndeshjet zhvillohen në shtator në Gjermani. Jemi në një grup mjaft të fortë, por ne do ta bëjmë punën tonë dhe të përgatitemi sa më mirë.
 
Egzona Gashi , futbolliste
Jemi duke punuar mjaft mirë dhe do të përgatitemi edhe në ditët në vijim dhe shpresojmë se do të jemi rivale të mira edhe pse ekipet si Gjermania e Islanda që bartin një përvojë të madhe vështirë mposhtën.
 
 
Aurora Behluli, futbolliste
Unë së pari jam e lumtur që me ka ftuar përzgjedhësi Kushtrim Munishi të luajë për Kosovën. Jam e lindur në Zvicër, por rrënjët i kam nga Kosova dhe dua të luaj për Kosovën. Këtu me kanë pritur mirë si shtabi teknik si lojtaret. Po punojmë dhe do të punojmë edhe më shumë për të arritur rezultate të mira.