20 korrik, 2017 – Në ditën e dytë të stërvitjeve Kombëtarja e Kosovës U-19 në konkurrencën e femrave në stadiumin e fushës sintetike në Ferizaj, përzgjedhësi Kushtrim Munishi  bashkë me ndihmësit e tij ka vazhduar të vëzhgojë dhe hulumtojë përparësitë dhe mangësitë individuale të futbollisteve dhe përshtatja e tyre në pozitat e ndryshme. Po ashtu në stërvitjen e sotme ju bashkëngjitën edhe dy futbolliste të reja. Mirela Jakupi e ardhur nga skuadra (Aire Le Lignon) nga Gjeneva e Zvicrës dhe Gentiana Xhekaj nga (FC Kaarst) nga Gjermania.  Kështu përzgjedhësi Munishi do të ketë edhe më shumë futbolliste në dispozicion për të parë cilësitë e tyre dhe të ketë një përzgjedhje më të mirë. Vashat edhe nesër do të kenë stërvitjen e radhës në po të njëjtin stadium. Stërvitjen e sotme nga afër e ndoqi edhe përzgjedhësja e Kombëtares A të Kosovës  Afërditë Fazliu bashkë me trajnerin Veton Çitaku dhe vëzhguan disa futbolliste. Pas stërvitjeve ne morëm disa opinione në lidhje me seancat stërvitore.
 
Kushtrim Munishi, përzgjedhës
Ne edhe sot vazhduam të kemi përgatitje edhe më intensive dhe të shohim nga afër secilën futbolliste, në mënyrë që ta kemi sa më të qartë strukturën e futbollisteve të cilat do të udhëtojnë në ndeshjet parakualifikuese në shtator. Do të vazhdojmë të kemi edhe më shumë grumbullime sepse kemi nevojë që futbollistet të njihen dhe të komponohen më mirë ndërmjet veti. Ne dhe javën e ardhshme do të vazhdojmë dy ditë me grumbullime dhe do të shikojmë të aranzhojmë ndonjë ndeshje kontrolluese.
 
Labinot Qosa, trajner i portierëve
 Siç dihet të gjitha Kombëtaret tona po përballen me mungesë të portierëve dhe normalisht që edhe ne kemi shumë  vështirësi. Mungesa po ndjehet edhe nëpër klube. Po ashtu edhe nëpër klube punohet pak, por ne gjithsesi po punojmë aq sa po na lejon kushtet si dhe mundësitë tona. Do të punojmë me përkushtim që të përgatitemi sa më mirë.
 
Laurita Ahemeti , futbolliste
Ndjehem mirë që jam pjesë e Kombëtares U-19 dhe po punojmë jashtëzakonisht fortë e mirë me Shtabin teknik. Do të përpiqemi të punojmë e të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet parakualifikuese që do të zhvillohen në Gjermani. Jemi me një grup të fortë por as sesi nuk do të dorëzohemi.
 
Verona Berisha, futbolliste
Falënderoj  përzgjedhësin Kushtrim Munishi që me ka besuar dhe me ka ftuar në Kombëtare. Po punojmë mirë dhe po mbretëron atmosferë e mirë. Kjo na jep shpresë se në ndeshjet parakualifikuese do të jemi rivale të denja, ndonëse ballafaqohemi me skuadra të forta siç është Gjermania.
 
Gentiana Xhekaj, futbolliste
Jam e lumtur që pata rastin të bashkëngjitëm Kombëtares U-19 të Kosovës. Në Gjermani kushte janë të mira por këtu pashë shumë futbolliste të mira dhe vullnet të jashtëzakonshëm për punë. Kështu si po punohet e ardhmja e Kombëtares së Kosovës ka të ardhme.